Vendosni fjalën kyçe....

Nafta rritet me 10% pas sulmit ndaj Iranit, mund të arrijë 100 dollarë për fuçi


Çmimi i naftës bruto Brent u rrit me 10%, duke shkuar në rreth 80 dollarë për fuçi në tregtimet jashtë bursës të dielën, sipas tregtarëve të naftës, ndërsa analistët parashikuan se çmimet mund të ngjiten deri në 100 dollarë pasi sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit e zhytën Lindjen e Mesme në një luftë të re.

Ajay Parmar, drejtor për energjinë dhe rrafinimin në ICIS, u shpreh se ndonëse sulmet ushtarake mbështesin rritjen e çmimeve, faktori kyç mbetet mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.

Burime nga tregtia bënë me dije se shumica e pronarëve të depozitave, kompanive të mëdha të naftës dhe shtëpive tregtare kanë pezulluar dërgesat e naftës bruto, karburantit dhe gazit natyror të lëngshëm përmes kësaj ngushtice, pasi Teherani paralajmëroi anijet kundër lëvizjes në këtë rrugë ujore, përmes së cilës kalon më shumë se 20% e naftës globale.

Sipas Parmar, pritet që tregjet të hapen me çmime shumë afër 100 dollarëve për fuçi, ose edhe ta kalojnë këtë nivel nëse bllokimi i ngushticës zgjat. Udhëheqësit e Lindjes së Mesme kanë paralajmëruar Uashingtonin se një luftë kundër Iranit mund të çojë në rritjen e çmimit të naftës mbi këtë shifër, një mendim që ndahet edhe nga analistët e RBC dhe Barclays.

Ndërkohë, grupi i prodhuesve të naftës OPEC+ ra dakord të dielën për të rritur prodhimin me 206,000 fuçi në ditë duke filluar nga prilli, një rritje modeste kjo që përfaqëson më pak se 0.2% të kërkesës globale.

Jorge Leon, ekonomist i energjisë në Rystad, vuri në dukje se megjithëse mund të përdoret një infrastrukturë alternative për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit, ndikimi neto nga mbyllja e saj do të ishte humbja e 8 deri në 10 milionë fuçive në ditë nga furnizimi me naftë bruto, edhe pasi të devijohen disa rrjedha përmes tubacioneve Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite dhe tubacionit të Abu Dhabit.

Rystad pret që çmimet të rriten me 20 dollarë, duke shkuar në rreth 92 dollarë për fuçi sapo të hapet tregtia. Kjo krizë në Iran ka nxitur gjithashtu qeveritë dhe rafineritë aziatike të vlerësojnë rezervat e tyre të naftës, si dhe të kërkojnë rrugë alternative transporti dhe burime të reja furnizimi. shkruan Reuters.