Vendosni fjalën kyçe....

Dorëhiqet drejtuesja e Muzeut të Luvrit pas grabitjes së bizhuterive mbretërore


Laurence des Cars ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtoreshës së Muzeut të Luvrit në Paris, në mes të pasojave të grabitjes së bujshme të bizhuterive mbretërore që ndodhi në tetor të vitit të kaluar, përcjell Euronews.

Des Cars ishte përballur me kritika të vazhdueshme për dështimet në siguri, pasi katër persona arritën të vidhnin disa prej stolive të çmuara të familjeve sunduese franceze të shekullit XIX, në një grabitje që tronditi muzeun më të vizituar në botë.

Në një deklaratë zyrtare, Pallati Elize falënderoi drejtuesen për shërbimin e saj. “Zonja Laurence des Cars i ka paraqitur Presidentit të Republikës letrën e dorëheqjes nga presidenca e Muzeut të Luvrit”, thuhet në njoftim. Presidenti Emmanuel Macron e pranoi dorëheqjen, duke e cilësuar atë si “një akt përgjegjësie” në një moment kur institucioni ka nevojë për qetësi dhe një shtysë të re për projektet madhore të sigurisë dhe modernizimit, përfshirë programin “Louvre – Rilindja e Re”.

Ekspertët vlerësuan se grabitja i ka kushtuar shtetit rreth 88 milionë euro vetëm në terma ekonomikë, ndërsa vlera historike konsiderohet e pallogaritshme.

Gjatë një seance dëgjimore në Senat, des Cars pranoi se sistemi i mbikëqyrjes së jashtme me kamera ishte “shumë i pamjaftueshëm” dhe se kishte zona të pambuluara, përfshirë Galerinë e Apolonit, ku ndodhi vjedhja. Ajo kishte paralajmëruar më herët për “degradimin dhe vjetërsimin e përgjithshëm” të infrastrukturës së muzeut, duke theksuar se stafi nuk ishte i armatosur.

Luvri mirëpriti 8.7 milionë vizitorë në vitin 2024 – më shumë se dyfishi i kapacitetit fillestar për të cilin ishte projektuar. Des Cars kishte ngritur gjithashtu shqetësime për mbingarkesën, kushtet e papërshtatshme për vizitorët dhe rreziqet për ruajtjen e veprave të artit për shkak të problemeve strukturore dhe luhatjeve të temperaturës.

Qeveria franceze ka parashikuar një program rinovimi me vlerë 700–800 milionë euro në dhjetë vitet e ardhshme. Një pjesë e financimit pritet të vijë nga rritja e çmimit të biletave për vizitorët jashtë Bashkimit Evropian, të cilët tashmë paguajnë 32 euro – një rritje prej 45%.

Pas përfundimit të projektit, autoritetet synojnë që muzeu të jetë në gjendje të presë deri në 12 milionë vizitorë në vit.