
Gjykata Kushtetuese e Spanjës ka rrëzuar ankesën e një babai që synonte të ndalonte vajzën e tij 25-vjeçare të kryente eutanazinë, duke konfirmuar në praktikë të drejtën e saj për t’u ndihmuar të vdiste sipas ligjit spanjoll.
Spanja është një nga vendet e Bashkimit Evropian ku eutanazia aktive dhe vetëvrasja e asistuar janë të ligjshme. Në mënyrë të ngjashme, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu lejojnë të dyja praktikat nën kushte strikte, ndërsa Austria dhe Gjermania lejojnë vdekjen e asistuar ose vetëvrasjen e asistuar vetëm në rrethana të kufizuara.
Rasti i fundit përfshin një grua 25-vjeçare nga Barcelona, e quajtur Noelia, e cila mbeti paraplegjike dhe përjeton dhimbje kronike pas një tentative vetëvrasjeje në vitin 2022, ku ajo mori një dozë të tepruar ilaçesh dhe u hodh nga një dritare e katit të pestë, sipas dokumenteve të gjykatës të cituara nga mediat spanjolle. Si pasojë, Noelia humbi lëvizshmërinë e këmbëve dhe përjeton dhimbje të vazhdueshme.
Në vitin 2024, një komision mjekësor i specializuar miratoi kërkesën e saj për eutanazi, dhe procedura ishte caktuar për 2 gusht. Megjithatë, babai i saj kundërshtoi vendimin, duke argumentuar se sëmundjet mendore dhe aftësitë e kufizuara të vajzës pengonin marrjen e një vendimi të duhur, duke paraqitur një ankesë. Disa gjykata më të ulëta kishin dhënë mbështetje për vendimin e Noelia-s.
Në vendimin e saj të premten, Gjykata Kushtetuese deklaroi se nuk gjeti shkelje të të drejtave themelore në vendimet e mëparshme që lejuan rrugën e vajzës së paralizuar drejt vdekjes së asistuar, duke përfunduar kështu betejën ligjore në nivel kombëtar. Pas rrëzimit të ankesës, avokatët e familjes njoftuan planet për ta çuar çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Ne po e çojmë rastin e Noelia-s në Strasburg,” deklaroi grupi katolik Christian Lawyers, që përfaqëson ligjërisht babain e saj, duke shtuar: “Do të mbrojmë jetën e saj deri në fund.”
Spanja legalizoi eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar në qershor 2021, duke i lejuar të rriturit me sëmundje serioze ose të pashërueshme të kërkojnë një vdekje të asistuar mjekësisht. Sipas të dhënave qeveritare, 426 persona kryen eutanazi gjatë vitit 2024, një rritje prej gati 48% krahasuar me vitin e parë të plotë pas legalizimit në 2022.
Megjithëse ekziston mbështetje e gjerë publike për vdekjen e asistuar në Spanjë, miratimi i ligjit ishte i debatueshëm dhe nxiti diskutime midis reformatorëve liberalë dhe kundërshtarëve, përfshirë partitë konservatore dhe Kishën Katolike, të cilët argumentojnë se ligji heq vlerën e jetës, shkruan Rt.