
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua në Shtetet e Bashkuara me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë vizitës së saj zyrtare.
Sipas deklaratës së Osmanit, takimi në Departamentin e Shtetit u fokusua në mundësitë për forcimin e aleancës mes dy vendeve dhe në hapat konkretë që, sipas saj, kanë rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës.
Ajo falënderoi kryediplomatin amerikan për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Presidentja theksoi gjithashtu rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, duke e cilësuar atë si kyçe për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes, në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve.