
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha në fjalën drejtuar mijëra qytetarëve që ishin pjesë e protestës së thirrur nga PD-ja para kryeministrisë se Shqipëeria po përballet me një forme të re të autokracisë.
Në 35-vjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha, mesazhi i demokrates u përqendrua në paralelizmin mes Shqipëriasë nën diktaturë dhe asaj nën qeverisjen e Edi Ramës.
Tabaku shtoi se 35 vite më pas vendi përballet me një formë të re autokracie, të cilësuar si “diktatura e korrupsionit”. Ajo akuzoi kryeministrin Rama dhe mazhorancën qeverisëse për ndërtimin e një sistemi që favorizon klientelën dhe oligarkinë, duke përjashtuar shumicën e qytetarëve nga përfitimet ekonomike.
“Korrupsioni është ideologjia e regjimit aktual, ndërsa ekonomia si e orientuar drejt një pakice që kontrollon tenderat, koncesionet dhe lejet e ndërtimit. Industria po falimenton, bujqësia e biznesi i vogël, prodhimi vendas ka rënë dhe vendet e punës po mbyllen. Shtresa e mesme po goditet nga taksat, profesionistët po përballen me barrë fiskale të papërballueshme, ndërsa të rinjtë po humbasin perspektivën për të ndërtuar jetën në vend. U theksua se sistemi aktual ka dëmtuar konkurrencën, ka vrarë meritokracinë dhe ka thelluar pabarazinë.” – tha ndër të tjera Tabaku.
Një tjetër akuzë e fortë e Tabakut u drejtua te kapja e institucioneve.
Parlamenti u nënshtruar ndaj qeverisë, ndërsa shumica po përpiqet për të ndryshuar ligje e madje Kushtetutën, me synim shmangien e kontrollit dhe llogaridhënies. Kjo, rrezikon liritë qytetare dhe perspektivën evropiane të vendit, pasi integrimi në Europë nënkupton forcimin e shtetit të së drejtës dhe fundin e pandëshkueshmërisë. Të bashkohemi të gjitha forcat opozitare dhe qytetarët përtej ndasive partiake.

Fjala e plotë e Tabakut
“Diktatura e Korrupsionit! Të dashur qytetarë të Tiranës, demokratë, motra dhe vëllezër! Rrëzimi i monumentit të diktatorit 35 vjet më parë, ishte çasti i kthesës së madhe në historinë tonë.
Ishte fundi i një horrori. Fundi i një diktature të pamëshirshme që ishte instaluar në çdo qelizë të shoqërisë sonë. Ky çast ishte edhe triumfi i një të vërtete të madhe të historisë: Të gjithë diktatorët bien! Të gjithë autokratët bien! Monumentet e autokratëve janë gjithmonë të larta. Por fundi i tyre është gjithmonë nën këmbët e njerëzve të lirë. Drita e gjen gjithmonë rrugën e saj! Liria triumfoi mbi errësirën e një diktature. Ata punuan pa pushim për të mbytur shpirtin e lirë të shqiptarëve.
Por nuk mundën ta mposhtin atë përfundimisht. Njerëzit mund të gënjehen për pak kohë. Mund të binden për pak kohë. Mund të tremben për pak kohë. Por njerëzit, më në fund, e gjejnë kurajën. E gjejnë besimin. E gjejnë forcën për të rrëzuar pushtetin e një njeriu, dhe për të vendosur pushtetin e njerëzve.
35 vjet më parë, ra dhe u thërrmua shtatorja e tiranit më të madh të kombit tonë. Atij njeriu që për 50 vjet ndërtoi një mekanizëm të frikshëm survejimi, propagande dhe përndjekjeje.
Ra pikërisht atëherë, kur ata mendonin se ishin më të fortë se kurrë! Atë ditë, shqiptarët gjetën guximin t’i shihnin në sy. T’i sfidonin përballë dhe t’u thoshin: Mjaft! Më 20 shkurt 1991 u rrëzua monumenti i një njeriu që kishte menduar se do ishte i përjetshëm. Por e përjetshme është vetëm Shqipëria e lirë!
35 vjet më pas, ne jemi përsëri në shesh. Jemi përsëri përballë një autokrati të rilindur. Ne jetojmë përsëri në një shoqëri ku pakica sundon mbi shumicën. Duke grabitur qytetarët dhe duke plaçkitur atdheun! Sistemi i dikurshëm i dhunës së Sigurimit dhe policisë, sot është zëvendësuar. Është zëvendësuar me dhunën e korrupsionit. Me diktaturën e korrupsionit! Korrupsioni është ideologjia e regjimit të sotëm. Ky regjim ka ndërtuar një ekonomi që i shërben vetëm klientëve.
Ka ndërtuar një sistem që ofron mundësi vetëm për krimin. Ka ndërtuar një qeverisje që grabit pasuritë publike në favor të oligarkëve. Pasojat e dhunës së korrupsionit janë dramatike: Industria është në falimentim. Bujqësia është në falimentim. Biznesi i vogël është në falimentim. Çdo qytetar e di që Parlamenti është kthyer në noterin personal të qeverisë. Ku falen taksat. Ku bëhet amnisti fiskale. Ndërsa 95% e bizneseve të ndershme mbajnë mbi supe një barrë të papërballueshme. Çdo i varfër dhe çdo pensionist e di të vërtetën.
Sot Shqipëria është një Republikë ku të korruptuarit bëjnë ligje për të mbrojtur njëri-tjetrin. Ky është sistemi që ka vrarë konkurrencën! E di mirë këtë çdo kompani që përballet me dyer të mbyllura.
Kjo nuk është Shqipëria e shqiptarëve! Kjo nuk është Shqipëria e shtresës së mesme! Kjo është një Shqipëri që po na vret të ardhmen. Qeveria e Edi Ramës punon për klientët dhe krimin. Mazhoranca e Edi Ramës bën ligje për klientët dhe krimin. Administrata publike u shërben klientëve dhe krimit.
Tenderat dhe koncesionet favorizojnë një grusht njerëzish. Kurse bizneset e ndershme luftojnë për mbijetesë. Kurse familjet e thjeshta numërojnë qindarkat për bukën e përditshme. Në sistemin që ka krijuar regjimi i Edi Ramës: Shtresa e mesme po shtypet. Profesionistët po shkatërrohen nga taksat.
Të rinjtë kanë humbur të ardhmen. Po kush përfiton vallë nga kjo ekonomi? Vetëm ajo pakicë! Pakica që ndan tenderat nëpër zyra të errëta. Pakica që merr lejet e ndërtimit në qendër të qyteteve. Pakica që ka ngritur një sistem mizor. Një sistem ku qeveria takson më shumë punën sesa kapitalin! Ata po shtypin përditë shtresën e mesme. I shtojnë taksat mësuesve, inxhinierëve dhe mjekëve. Ndërsa ata lart ushqehen me privilegje që nuk u kthehen kurrë qytetarëve.
Në aspektin ekonomik, Shqipëria e 2026-ës po i ngjan Shqipërisë së 1991-shit. Sektori prodhues është në zgrip. Mijëra vende pune po mbyllen çdo muaj. Bizneset e ndershme po mbyllin qepenat dhe po largohen nga vendi. Për herë të parë pas 35 vitesh, Shqipëria nuk prodhon dot asgjë për të eksportuar.
Dhe ky nuk është një aksident! Ky është një operacion i mirëmenduar për të zhbërë prodhimin vendas.
Ky sistem ka vrarë meritokracinë. Ka vrarë shpresën e një të riu për të blerë një shtëpi. Ka vrarë mundësinë për të ndërtuar një të ardhme këtu, në shtëpinë tonë.
Të dashur qytetarë: Në sistemet autokratike, ekonomia është e para që falimenton. Dhe kur një sistem ekonomik dështon, autokratët kërkojnë të mbijetojnë. Duke kapur drejtësinë dhe duke kontrolluar çdo institucion! Prandaj shumica socialiste po përpiqet të heqë çdo kontroll ndaj pushtetit. Socialistët po ndryshojnë ligjet. Po ndryshojnë rregullat. Duan të ndryshojnë edhe Kushtetutën. Që askush të mos u kërkojë llogari! Që askush të mos i hetojë! Që askush të mos i gjykojë! Këto përpjekje po shkatërrojnë liritë tona. Po shkatërrojnë edhe të ardhmen tonë evropiane. Sepse Europa do të thotë shtet i së drejtës.
Dhe shteti i së drejtës, do të thotë fund i pandëshkueshmërisë! Të dashur qytetarë:
Beteja jonë nuk është betejë partiake. Beteja jonë është betejë për thelbin e Republikës.
Është betejë për Shqipërinë e qytetarëve, jo të klientëve. Për ekonominë e punës, jo të grabitjes dhe favoreve. Për drejtësinë e barabartë, jo për drejtësinë e të fortëve. Në këtë përvjetor, ne duhet të ndihemi më të fortë se kurrë: Të gjithë autokratët bien kur njerëzit bëhen bashkë dhe mposhtin frikën!
Ndaj, le të bëhemi bashkë. Unë e kam të qartë, dhe ne të gjithë e dimë. Brenda forcave tona opozitare ka pasur gjëra që na kanë ndarë. Kemi pasur debate dhe qasje të ndryshme. Por sot, dua t’ju shoh në sy dhe t’ju them me bindje të plotë: Gjërat që na ndajnë, nuk janë kurrë më të mëdha se ajo që na bashkon! Nuk ka rrugë tjetër nëse duam të shpëtojmë Shqipërinë e lirë! Na duhet bashkim në një front të përbashkët qytetar dhe politik.
Nuk ka rrugë tjetër për t’u bërë thirrje atyre që na kanë braktisur. Nuk ka rrugë tjetër për të ndalur ata që bëjnë gati valixhet. Vetëm duke u bërë bashkë në këtë mision historik! Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur! Asnjë ditë më shumë! Nëse ne sot ia lëmë fatin e kësaj beteje ndasive dhe inateve tona të vogla.. Atëherë i kemi bërë dhuratën më të madhe kësaj qeverie. Ne nuk do t’ua bëjmë kurrë këtë dhuratë! Sot, si 35 vjet më parë, na duhet guxim. Na duhet besim. Na duhet bashkim. Së bashku do të rikthejmë përsëri lirinë. Do të rikthejmë mundësitë dhe ëndrrën evropiane. Autokratët bien. Shqipëria është e përjetshme!”

