
Verifikimi i automatizuar i udhëtarëve pritet që, pas Rinasit, të zbatohet në dy porte në vend, atë të Durrësit dhe të Sarandës. Kjo do t’u mundësojë udhëtarëve që të kalojnë në mënyrë të përshpejtuar atë që njihet si kontroll kufitar.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një procedurë prokurimi me një fond rreth 1.4 milionë euro, me fokus pikërisht këtë shërbim për llogari të institucioneve që kanë në përgjegjësi kontrollin kufitar.
“Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është projektimi, zhvillimi dhe implementimi i sistemit elektronik Border Controller, i cili do të mundësojë verifikimin e automatizuar të udhëtarëve në dy pika kufitare portuale të Republikës së Shqipërisë – Porti i Durrësit dhe Porti i Sarandës – me mundësi zgjerimi në të ardhmen në pikat e tjera kufitare detare apo tokësore. Sistemi do të ndërtohet mbi teknologjinë moderne dhe arkitekturë të sigurt, duke përdorur pajisje inteligjente për lexim dokumentesh, kapje të imazheve në kohë reale dhe validim biometrik.
Ky projekt synon të sigurojë rritjen e sigurisë kufitare, lehtësimin e procedurave të kalimit dhe rritjen e efikasitetit operacional, duke garantuar integritetin, konfidencialitetin dhe disponueshmërinë e të dhënave personale, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë kufitare dhe mbrojtjes së të dhënave” thuhet në objektivat e projektit.
Në dokumente argumentohet se zgjidhja në fjalë u implementua në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, si pika e parë kufitare në Shqipëri që aplikon procesin e kontrollit të udhëtarëve në mënyrë tërësisht elektronike, pa ndërhyrje njerëzore.
“Vendosja e pajisjeve e-Gate synon të përshpejtojë procedurat e kalimit, të përmirësojë përvojën e udhëtarëve dhe të reduktojë ngarkesën operative të punonjësve të kufirit, duke ruajtur standardet më të larta të sigurisë dhe kontrollit të identitetit.
Pajisjet e instaluara në Rinas funksionojnë përmes verifikimit biometrik automatik, ku sistemi lexon të dhënat e pasaportës elektronike dhe kryen krahasimin e fotografisë së ruajtur në çip me fotografinë e marrë në kohë reale, për të konfirmuar identitetin e udhëtarit.
Procesi kryhet në mënyrë tërësisht lokale (on-premise), pa lidhje interneti dhe pa ruajtje të të dhënave pas përfundimit të verifikimit, duke garantuar siguri maksimale dhe mbrojtje të privatësisë” thuhet në dokument./Monitor