
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në nisje të seancës plenare në Kuvend, kërkoi që në rendin e ditës të shqyrtohet urgjentisht vetëm çështja e heqjes së imunitetit të zëvendës-kryeministres Belinda Balluku, duke i hapur kështu rrugë arrestimit të saj nga SPAK.
Bardhi theksoi se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ekziston më asnjë pengesë ligjore për të proceduar dhe akuzoi mazhorancën për pengesë ndaj hetimeve në çështje korrupsioni.
“Ky Kuvend ka dështuar për dy muaj që të përmbushë misionin për këtë çështje. Duhet të mbahet seanca për heqjen e imunitetit të Ballukut, t’i hapet rruga SPAK-ut dhe çdo i akuzuar të jetë i barabartë para ligjit,” deklaroi Bardhi, duke shtuar se Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në “bunker të korrupsionit”.
Ai gjithashtu kujtoi sulmet ndaj prokurorisë në rastin e AKSHI-t dhe i bëri thirrje mazhorancës të lejojë funksionimin e institucioneve të drejtësisë pa pengesa.