
Rexhep Selimi, njëri nga katër të akuzuarit në procesin gjyqësor në Hagë, gjatë fjalës së tij përfundimtare ka thënë se shpreson që trupi gjykues ka arritur të vlerësojë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.
Gjithashtu ai ka deklaruar se pretendimet e Prokurorisë Speciale nuk qëndrojnë.
“Është hera e tretë dhe shpresoj që të jetë e fundit që unë e marr fjalën në këtë sallë gjykimi. Kanë kaluar më shumë se pesë vite nga fillimi i këtij procesi gjyqësor, dhe këto pesë vite nuk kanë qenë të lehta për ne, por as të parëndësishme për historinë e vendit tim. Le të shërbejë kjo si një mundësi dhe shans i mirë për drejtësinë. Pas gjithë këtyre viteve, ka ardhur edhe një element pozitiv, shpresoj që trupi gjykues të ketë pasur kohën e mjaftueshme për të vlerësuar që lufta jonë ishte e drejtë dhe pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë”, tha Selimi.
Ai tha se njësoj sikurse kishte deklaruar në vitin 2023, edhe sot thekson se akuzat ndaj katërshes së UÇK-së janë të pabazuara dhe të padrejta.
“Në fjalën time në këtë sallë, në prill të vitit 2023, kur ky proces sapo kishte filluar, thashë që po përballesha me një akuzë të pabazuar. Sot, pas gjithë këtij udhëtimi, rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë, akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se e vetmja kërkesë e tij është që trupi gjykues ta ushtrojë drejtësinë.
“Unë nuk jam ngritur sot këtu ta mbroj veten time, sepse këtë gjë dinë më së miri dhe e kanë bërë avokatët e mi. Nuk jam këtu as për t’ju treguar juve për drejtësinë, sepse ju e dini më mirë se çdokush atë. Unë sot jam këtu për të kërkuar nga ju që ta ushtroni pikërisht atë drejtësi”, ka thënë Selimi.
Ish-kreu i UÇK-së, Rexhep Selimi tha se themelimi i UÇK-së nuk lindi nga dëshira, por nga nevoja për mbijetesë. Ai tha se qëllimi i Serbisë ndaj shqiptarëve ka qenë i ditur nga fillimi, shkruan RTK.
“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? As njërën dhe as tjetrën. Duhej të rezistonim, prandaj besova që Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje. Kishte nevojë për një si Adem Jashari dhe si UÇK-ja, prandaj iu bashkova UÇK-së. UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja. Ishte reagim ndaj dhunës sistematike. Nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë”, ka theksuar Selimi.
Duke folur për cilësimet dhe akuzat e prokurorisë ndaj tij, Selimi theksoi: “Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh. Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. Shumë nga bashkëluftëtarët tanë kanë vdekur duke i siguruar ato. UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare”, u shpreh Selimi.