
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij.
Në deklaratën për mediat, Berisha u shpreh se ndaj tij është urdhëruar një hetim 30-vjeçar, duke pretenduar se janë dërguar kërkesa në 16 institucione për verifikime që, sipas tij, nuk kanë lidhje me dosjen konkrete.
“Këtu keni një listë kërkesash të firmosura nga Altin Troplini për të gjitha, 16 institucione për të hetuar Berishën dhe mbesat e tij dhe 4 vite para lindjes së tyre. Pa asnjë lidhje, vetëm në kërkim të zbatimit të urdhrit të Ramës. Brenda një dite kanë dërguar hetim në 16 kërkesa, hetim 30-vjeçar. Kjo nuk ka lidhje me dosjen që ta theksojmë”, tha ai.
Berisha deklaroi gjithashtu se SPAK ka pyetur persona në lidhje me burimin e të ardhurave me të cilat, sipas tij, është blerë nafta e përdorur për organizimin e “Foltores”.
“Thërrasin njerëz dhe pyesin, ku e mori naftën Berisha kur bënte foltoren? Kjo ka lidhje me dosjen Partizani. Kraja dhe Dumani kanë futur në hetim naftën që ka përdorur Berisha, deputet, për të bërë Foltoret. Mund t’ju them shumë raste të tjera që kanë thirrur Ledinën që në 2003 e kanë pyetur nga i more paratë e stilolapsave që bleve për fushatë?”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, këto veprime përbëjnë zgjerim të pajustifikuar të hetimeve në kuadër të dosjes “Partizani”.