
Rivali kryesor i Putinit, Alexei Navalny, vdiq pasi u helmua me një toksinë vdekjeprurëse dhe Rusia është përgjegjëse për sulmin, kanë deklaruar Britania e Madhe dhe aleatët e saj.
Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Suedia dhe Holanda deklaruan gjatë një konference për shtyp në Konferencën e Sigurisë në Mynih, të shtunën, se analiza e mostrave nga Navalny kishte “konfirmuar përfundimisht” praninë e epibatidinës – një toksinë që gjendet te bretkosat helmuese në Amerikën e Jugut.
Sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper, tha se vetëm Rusia i kishte “mjetet, motivin dhe mundësinë” për të kryer një sulm të tillë. Shtetet deklaruan se e kanë raportuar helmimin në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).
Pas konferencës për shtyp, Yulia Navalnaya, e veja e tij, bëri thirrje që Vladimir Putin të “mbajë përgjegjësi”. Ajo shkroi: “Isha e sigurt që nga dita e parë që burri im ishte helmuar, por tani ka prova: Putin e vrau Alexein me armë kimike.”
Kremlini ka mohuar gjithmonë se ka shkaktuar vdekjen e Navalny-t.
Navalny, vdiq në një burg në Siberi në shkurt të vitit 2024. Ai po vuante një dënim me 19 vjet burg, të cilin e konsideronte si të motivuar politikisht, kur ndërroi jetë në moshën 47-vjeçare, shkruan Independent.