Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Ata anëtarë të GJK që do të vendosin në favor të Ballukut do të kryejnë një akt kundër interesit kombëtar


Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ai deklaroi se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese në favor të saj do të përbënte një akt kundër interesit kombëtar dhe qartësisht anti-perëndimor.

Sipas Shehajt, një vendim i tillë do të sillte humbje të besueshmërisë së institucionit dhe dorëheqje të pashmangshme të anëtarëve të Gjykatës.

Balluku, akuzohet për paracaktim të fituesve në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, si edhe për shkelje në procedurat e lidhura me dosjen e Unazës së Madhe.

Më 31 tetor, SPAK e mori zyrtarisht të pandehur, ndërsa i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e saj, pasi sipas prokurorisë, lënia e saj e lirë rrezikon prishjen e provave.

“Ata anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që do të vendosin në favor të Belinda Ballukut do të kryejnë një akt kundër interesit kombëtar dhe qartësisht anti-Perëndimor.

Pasoja do të jetë humbje e parikuperueshme e besueshmërisë dhe si rrjedhojë, dorëheqje e pashmangshme si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Çdo vendim i tyre në favor të të korruptuarve nuk do ta ndalë procesin e integrimit perëndimor dhe fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Përkundrazi, do t’i detyrojë anëtarët e saj të largohen me turp.”