
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të nisë krijimin e një rezerve strategjike të mineraleve kritike me një kapital fillestar prej 12 miliardë dollarësh, të siguruar nga Banka Amerikane e Eksport-Importit (EXIM), bëri të ditur një zyrtar i administratës Trump i njohur me planin.
Investimi përbën përpjekjen më të fundit të Uashingtonit për të kundërshtuar atë që politikëbërësit amerikanë e konsiderojnë si manipulim të çmimeve nga Kina për litiumin, niklin, elementët e rrallë të tokës dhe minerale të tjera kritike, të domosdoshme për produkte që variojnë nga automjetet elektrike deri te armët e teknologjisë së lartë, situatë që prej vitesh ka penguar kompanitë amerikane të minierave.
Nisma, e raportuar fillimisht nga Bloomberg News, e quajtur “Project Vault”, do të kombinojë financimin privat me një kredi prej 10 miliardë dollarësh nga EXIM për të blerë dhe grumbulluar minerale që do të vihen në dispozicion të prodhuesve të automjeteve, kompanive teknologjike dhe prodhuesve të tjerë, përcjell Reuters.
Projekti ka tërhequr interes nga një gamë e gjerë kompanish amerikane të sektorit të automobilëve dhe teknologjisë.
Sipas zyrtarit, firmat tregtare të lëndëve të para Hartree Partners, Traxys North America dhe Mercuria Energy Group do të menaxhojnë blerjen e lëndëve të para për rezervën.
Rezerva pritet të përfshijë si elementë të rrallë të tokës, ashtu edhe minerale të tjera kritike dhe elementë strategjikë që janë subjekt i luhatjeve të forta të çmimeve.
“Project Vault” synon të ndihmojë industrinë amerikane të automobilëve, duke i lejuar kompanitë të shmangin mbajtjen e riskut në bilancet e tyre financiare, shpjegoi zyrtari, duke e krahasuar funksionimin e projektit me një anëtarësim në Costco që lejon blerje në vëllime të mëdha.
Një tjetër objektiv është krijimi i një rezerve mineralesh për 60 ditë për përdorim emergjent, ndërsa zyrtari shtoi se procesi i grumbullimit të mineraleve ka nisur tashmë.
Parashikohet gjithashtu krijimi i një strukture drejtuese për projektin, ndërsa EXIM ka gjasa të ketë një vend në bord.
Muajin e kaluar, një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë paraqiti një projektligj për krijimin e një rezerve mineralesh kritike prej 2.5 miliardë dollarësh, me synim stabilizimin e çmimeve të tregut dhe nxitjen e minierave dhe rafinimit vendas.