
Kuvendi u përfshi nga “mjegulla” e gazit lotësjellës, ndërsa tensionet u përshkallëzuan mes protestuesve të opozitës dhe forcave të policisë. Pas përfundimit të fjalimit të kreut të PD, Sali Berisha, para Kryeministrisë, protesta u zhvendos drejt Parlamentit, ku situata doli jashtë kontrollit.
Disa protestues shkulën pllaka nga trotuari dhe i hodhën në drejtim të efektivëve të policisë. Sipas raportimeve mediatike, gazi lotësjellës u përhap në një perimetër të gjerë, duke vështirësuar punën e gazetarëve dhe duke detyruar qytetarët të largohen përkohësisht nga zona.
Përplasjet u intensifikuan para Kuvendit, ku deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, u përfshi në një konfrontim me forcat e rendit. Policia përdori gaz lotësjellës si para Kryeministrisë, ashtu edhe para Parlamentit, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit.
Pas marshimit nga Kryeministria drejt Kuvendit, përplasjet mes policisë dhe mbështetësve të opozitës vijuan, duke e mbajtur situatën të tensionuar për disa minuta.
