Vendosni fjalën kyçe....

Xhixho: Paratë nuk shkojnë për emergjenca për rrugë të florinjta, projekte fantazmë dhe për tendera e kontrata koncesionare


Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e quajti situatën aktuale si “simbolin më të qartë të abuzimit me paratë publike”.

Ajo tha se qeveria ka shpenzuar miliona euro, por nuk ka siguruar funksionim apo përgjegjësi, duke mos shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe duke lënë fermerët pa ndihmë për dëmet nga ngricat.

Sipas saj, fondet e BE-së janë humbur për shkak të korrupsionit, qiratë janë dyfishuar krahasuar me 4 vite më parë, dhe inflacioni në dhjetor arriti 2.3%.

“Ky është simboli më i qartë i abuzimit me paratë publike: miliona euro të shpenzuara, zero funksionim, zero përgjegjësi. Qeveria nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, sepse nuk ka as vullnetin dhe as përgjegjshmërinë të dëmshpërblejë qytetarët.

Qindra fermerë po përballen me ngrica dhe dëme, pa shpresë për ndihmë nga shteti, i cili jo vetëm që nuk i mbështet po edhe i ka lënë pa fondet e BE për shkak të vjedhjes e korrupsionit. Qiratë janë dyfishuar krahasuar me 4 vite më parë, ndërsa inflacioni u rrit në 2.3% në dhjetor” tha ajo. 

Xhixho, tha se familjet shqiptare shpenzojnë rreth 40% të buxhetit mujor vetëm për ushqim, ndërsa pensioni mesatar është 170 euro.

Ajo kritikoi qeverinë për rritjen e të ardhurave të shtetit me 7.3% në vitin 2025, të ardhura që, sipas saj, nuk përdoren për emergjenca apo mbështetje sociale, por për “rrugë të florinjta”, projekte fantazmë dhe tendera që përfundojnë në xhepat e klientëve të pushtetit.

“Ndërsa qytetarët varfërohen, qeveria pasurohet. Vetëm në 8 muaj u mblodhën gati 5 miliardë euro në arkën e shtetit. Të ardhurat gjatë vitit 2025 u rritën me 7.3% ose 340 milionë euro më shumë, para që dolën drejtpërdrejt nga xhepat e qytetarëve.

Por këto para nuk shkojnë për emergjencat, për parandalimin e përmbytjeve apo për mbështetjen e familjeve në nevojë. Por shkojnë për rrugë të florinjta që po bien çdo ditë dhe pasurojnë klientët e qeverisë, shkojnë për projekte fantazmë si Durana Tech Park, për grupin e strukturuar kriminal të AKSHI-t, për tunelin e Llogarasë dhe për tendera e kontrata koncesionare që çojnë paratë e qytetarëve në xhepat e klientëve të pushtetit. 

Qeveria jeton në luks, ndërsa qytetarët numërojnë qindarkat. Vera 33 mijë euro, “Kopshti Eden” 4.2 milionë euro, udhëtimet charter miliona euro. Vetëm te tuneli i Llogarasë u vodhën 75 milionë euro.

“Rrugët e florinjta” dhe inceneratorët përpinë qindra miliona euro të tjera. Dhe kur drejtësia vepron, pushteti e bllokon pasi çdo qytetar është i qartë sot që në krye të gjithë këtyre aferave korruptive është vetë Edi Rama.” tha ajo.

Xhixho hodhi kritika edhe ndaj Kuvendit duke e cilësuar shtyrjen me gjashtë javë të shqyrtimit të kërkesës së SPAK për zëvendëskryeministren nën hetim Belinda Balluku si një akt të paprecedentë që tregon hapur “frikën e Edi Ramës nga drejtësia dhe tentativën e dëshpëruar të tij për të mbrojtur veten”.

“Partia e Lirisë dënon me forcë përdorimin e Kuvendit si mburojë politike nga qeveria dhe kërkon që sa më parë, Parlamenti të zbatojë ligjin dhe t’i hapë rrugë drejtësisë. Koha e llogaridhënies ka ardhur dhe askush nuk mund ta ndalë,” tha ajo duke përmbyllur deklaratën.