Vendosni fjalën kyçe....

Trump u kërkon gjeneralëve planin për ndërhyrje në Groenlandë


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar komandantët e tij të lartë të hartojnë një plan për një pushtim të mundshëm të Groenlandës, një lëvizje që potencialisht mund të çojë në kolapsin e plotë të NATO-s, raportoi Daily Mail të shtunën, duke cituar burime.

Presidenti amerikan ka kërkuar prej kohësh të marrë kontrollin e Groenlandës, një territor autonom nën sovranitetin danez, duke cituar shqetësimet e sigurisë dhe nevojën për të penguar Rusinë dhe Kinën, ndërsa nuk ka përjashtuar një opsion ushtarak për kapjen e ishullit. Ky qëndrim e ka vendosur atë në kundërshtim me anëtarët evropianë të NATO-s, të cilët janë rreshtuar krah Danimarkës.

Sipas Daily Mail, Trump i kërkoi Komandës së Përbashkët të Operacioneve Speciale të përgatiste planet e pushtimit, por Shefat e Bashkuar të Shtabit po kundërshtojnë, duke argumentuar se lëvizja do ishte e paligjshme dhe do t’i mungonte mbështetja e Kongresit. Një burim i tha gazetës se gjeneralët e lartë “janë përpjekur të shpërqendrojnë Trump-in duke folur për masa më pak të diskutueshme”, si psh një “sulm ndaj Iranit”.

Raporti thotë se nxitja për të kapur Groenlandën u udhëhoq nga disa këshilltarë të Trump, përfshirë ndihmësin politik Stephen Miller, të cilët u inkurajuan nga sulmi i fundit i SHBA-së ndaj Venezuelës dhe tani duan të lëvizin shpejt për të siguruar ishullin përpara se Rusia ose Kina të mund të bëjnë ndonjë lëvizje.

Një burim diplomatik paralajmëroi se pushtimi mund të çojë në “shkatërrimin e NATO-s nga brenda”. Ai shtoi se disa “zyrtarë evropianë dyshojnë se ky është qëllimi i vërtetë i fraksionit të linjës së ashpër MAGA rreth Trump-it.

Diplomatët britanikë të cituar nga Daily Mail kanë sugjeruar se Trump e sheh operacionin e Groenlandës si një mënyrë për të shpërqendruar votuesit amerikanë nga gjendja e ekonomisë së SHBA-së përpara zgjedhjeve afatmesme. Në këtë linjë, një nga burimet e medias sugjeroi se Trump mund të ndjekë një qasje përshkallëzuese në afat të shkurtër përpara se të kalojë drejt një kompromisi, shkruan Rt.

Nga ana tjetër, Daily Telegraph raportoi se anëtarët evropianë të NATO-s po diskutojnë vendosje të mundshme në Groenlandë, përfshirë trupa, anije dhe avionë, për të ruajtur Arktikun dhe për të zbutur shqetësimet e Trump-it.