
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi gjatë mbledhjes javore të kabinetit se Izraeli shpreson që populli iranian të çlirohet së shpejti nga ajo që ai e cilësoi si tirani e regjimit aktual. Sipas tij, rënia e regjimit do t’i hapte rrugë një të ardhmeje të re marrëdhënies mes dy popujve, përcjell YNetNews.
“Kur regjimi të bjerë, ne do të bëjmë gjëra të mira së bashku për të dy popujt. Të gjithë shpresojmë që kombi pers të çlirohet nga barra e shtypjes. Atëherë, Izraeli dhe Irani do të jenë sërish partnerë besnikë në ndërtimin e një të ardhmeje me prosperitet dhe paqe,” u shpreh Netanyahu.
Në një intervistë të regjistruar, të transmetuar të premten, kryeministri izraelit tha se vala e protestave që ka përfshirë Iranin mund të përbëjë një moment historik. “Ky mund të jetë çasti kur populli iranian merr përgjegjësinë për fatin e tij,” deklaroi ai, duke shtuar se revolucionet më të qëndrueshme vijnë nga brenda. Netanyahu shmangu mbështetjen e drejtpërdrejtë të kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për ndërhyrje, por paralajmëroi se çdo sulm iranian ndaj Izraelit do të kishte “pasoja të tmerrshme”.
Ndërkohë, protestat në Iran kanë hyrë në javën e dytë, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të treguar kontroll. Shefi i Policisë Kombëtare iraniane, Ahmadreza Radan, deklaroi të dielën se reagimi ndaj protestuesve është ashpërsuar dhe se janë kryer “arrestime të rëndësishme” ndaj figurave kyçe të përfshira në trazira, të cilat do të përballen me ndjekje penale.
Sipas organizatës Human Rights Activists in Iran (HRANA), me bazë në SHBA, të paktën 192 persona kanë humbur jetën dhe rreth 2 600 janë arrestuar gjatë përplasjes me forcat e sigurisë.
Më herët, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, paralajmëroi se Izraeli dhe ushtria amerikane do të ishin “objektiva legjitime” nëse SHBA ndërmerr sulme ndaj Iranit, deklaratë e bërë gjatë një seance të posaçme parlamentare, ku deputetët brohoritën “Vdekje Amerikës”.