Vendosni fjalën kyçe....

Tentoi të digjte makinën e UKT-së pranë bashkisë, pranga 28-vjeçarit në Tiranë (Video)


Një 28-vjeçar, i cili akuzohet se ka tentuar t’i vërë zjarrin një automjeti të bashkisë Tiranë, është arrestuar nga policia.

Në pranga ka rënë i riu me iniciale E.J. Ai akuzohet se më 25 mars 2022 ka hedhur një shishe me lëndë djegëse ndaj një mjeti në pronësi të ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime në Bashkisë Tiranë.

Pas kontrollit në banesën e të ndaluarit policia ka gjetur një shishe plastike të mbushur me benzinë, një thikë, një pushkë sportive, një biçikletë er dy celularë.

Njoftimi

“Zbardhet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, tentativa për djegien e automjetit në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Oktan”.

Vihet në pranga një 28-vjeçar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disaditore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Oktan”. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. J., 28 vjeç, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Bazuar në provat e grumbulluara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 ka rezultuar se ky shtetas, më datë 25.03.2022, ka hedhur një shishe, të dyshuar me lëndë djegëse, poshtë një automjeti në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit E. J., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë), veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, një shishe plastike e mbushur me benzinë, një pushkë sportive (detare), një biçikletë dhe dy aparate celulare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”