Vendosni fjalën kyçe....

Opera Kombëtare e Uashingtonit largohet nga Qendra Kennedy pas ndryshimeve të imponuara nga Trump


 

Opera Kombëtare e Uashingtonit ka njoftuar largimin nga Qendra Kennedy, duke ndërprerë një bashkëpunim shumëvjeçar dhe duke shënuar një tjetër largim të profilit të lartë nga institucioni që prej marrjes së kontrollit nga Presidenti Donald Trump.

Në një deklaratë të premten, opera bëri të ditur se do të kërkojë t’i japë fund afilimit me Qendrën Kennedy përmes një “tranzicioni miqësor”, duke u rikthyer në funksionim të pavarur, përcjell AP.

Ajo argumentoi se ky vendim vjen si pasojë e kufizimeve financiare të vendosura pasi Trump shkarkoi bordin drejtues dhe emëroi aleatët e tij në krye të institucionit.

Si pjesë e ndryshimeve, opera do të shkurtojë sezonin pranveror dhe do të zhvendosë shfaqjet në ambiente të tjera, në mënyrë që të ruhet stabiliteti financiar dhe të sigurohet një buxhet i balancuar.

Në deklaratë nuk përmendet drejtpërdrejt Presidenti Trump apo vendimi i bordit të ri për t’i shtuar emrin e tij Qendrës Kennedy. Megjithatë, ndërsa Kongresi e njeh ende zyrtarisht si John F. Kennedy Center for the Performing Arts, ndërtesa dhe faqja zyrtare tashmë e paraqesin me emrin Trump Kennedy Center.

Ric Grenell, bashkëpunëtor i ngushtë i Trump dhe drejtor i përkohshëm ekzekutiv i Qendrës, tha se institucioni ka investuar miliona dollarë për të mbështetur Operën Kombëtare të Uashingtonit, por ajo ka vazhduar të funksionojë me deficit.

Sipas tij, ndarja do t’i japë Qendrës më shumë hapësirë dhe fonde për të sjellë produksione operistike nga SHBA-ja dhe nga vende të tjera të botës.

Nga ana tjetër, një sërë artistësh të njohur, përfshirë krijuesin e “Hamilton”, Lin-Manuel Miranda, dhe muzikantin Peter Wolf, kanë anuluar eventet e tyre në Qendrën Kennedy që prej shkarkimit të drejtuesve të mëparshëm dhe marrjes së kontrollit nga Trump. Ri-emërtimi i ndërtesës në dhjetor ka sjellë edhe më shumë anulime.

Zyrtarë të operës bënë të ditur se modeli i ri financiar i Qendrës kërkon që çdo prodhim të financohet plotësisht paraprakisht, çka sipas tyre është e papërputhshme me funksionimin normal të një kompanie operistike.

Shitjet e biletave mbulojnë vetëm një pjesë të kostove të prodhimeve, ndërsa grantet dhe donacionet sigurohen zakonisht afër datave të premierave dhe jo disa vite më herët. Po ashtu, modeli i ri nuk lejon mbështetjen e veprave më pak fitimprurëse me të ardhurat e veprave të njohura.

Francesca Zambello, drejtoresha artistike e Operës Kombëtare të Uashingtonit për 14 vitet e fundit, tha se ishte krenare për lidhjen me një institucion të rëndësishëm amerikan dhe se do të vazhdojë të ofrojë një repertor të gjerë artistik, “nga klasikët monumentalë te veprat bashkëkohore”.

Ndërkohë, të premten në mbrëmje, produksionet “Treemonisha”, “The Crucible” dhe “West Side Story” vazhdonin të figuronin ende në faqen zyrtare të Qendrës Kennedy.