Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytje në Fier, 27 banesa dhe rreth 200 hektarë tokë bujqësore nën ujë



Situata e përmbytjeve në qarkun e Fierit paraqitet e rëndë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që vijojnë prej disa ditësh. Sipas të dhënave zyrtare, 27 banesa kanë prezencë të lartë uji, ndërsa rreth 200 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në disa fshatra të zonës.

Më problematike paraqitet situata në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras, ku sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore ndodhen nën ujë brenda argjinaturave. Ndërkohë, nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në rritje të vazhdueshme.

Në rrezik për dalje nga shtrati është edhe lumi Vjosë. Sipas matjeve në Urën e Mifolit, prurjet kanë kaluar mbi pikat e matjes dhe niveli i ujit ka arritur pikën kritike përgjatë argjinaturës, buzë më buzë.

Si pasojë e rritjes së prurjeve të Vjosës, ka prezencë uji edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, në Njësinë Administrative Frakull, prej nga furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Fierit. Autoritetet kanë marrë masa paraprake duke stakuar disa pompa në puset pranë lumit dhe duke punuar me kapacitet të reduktuar nga puse të tjera më të largëta, çka ka sjellë ulje të furnizimit me ujë për qytetin, sipas një grafiku të përcaktuar.

Të dhënat nga pika e matjes në Urën e Memaliajt sinjalizojnë përkeqësim të mëtejshëm të situatës në orët në vijim, ndërsa strukturat përkatëse vijojnë monitorimin dhe janë në gatishmëri për ndërhyrje.