Vendosni fjalën kyçe....

“Mos iu bindni Trump-it” – E pëson senatori demokrat


Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, njoftoi të hënën se do ulë në gradë Senatorin Mark Kelly nga grada e tij si kapiten i marinës në pension për “sjellje të pahijshme të pakujdesshme”, pasi ai dhe ligjvënës të tjerë demokratë u bënë thirrje trupave të refuzojnë çdo urdhër të paligjshëm.

Hegseth tha se Kelly-t do t’i shkurtohet pagesa e pensionit dhe do t’i bashkëngjitet një letër qortimi në dosjen e tij ushtarake. Ai mund të përballet me masa shtesë në të ardhmen në varësi të veprimeve të tij, paralajmëroi ai në një postim në X.

Megjithëse i jashtëzakonshëm, qortimi mbetet shumë larg kërcënimit të administratës Trump për të rikthyer Kelly-n në statusin e detyrës aktive me qëllim ndjekjen penale, pas asaj që ajo e përshkroi si sjellje kryengritëse nga ana e ish-astronautit dhe veteranit të dekoruar.

“Statusi i Kapiten Kelly-t si senator aktual i Shteteve të Bashkuara nuk e liron atë nga llogaridhënia, dhe shkeljet e mëtejshme mund të çojnë në veprime të tjera,” tha Hegseth.

Kelly dhe ligjvënësit e tjerë i kanë mbrojtur me forcë deklaratat e tyre, duke thënë se ata thjesht po ripërsëritnin ligjin. Kelly nuk mund të kontaktohej menjëherë për koment.

Mesazhi video i Kelly-t i datës 18 nëntor erdhi mes shqetësimeve të shtuara te demokratët, të mbështetura privatisht edhe nga disa zyrtarë ushtarakë të SHBA-së, se administrata Trump po shkel ligjin duke urdhëruar ushtrinë amerikane të vrasë trafikantët e dyshuar të drogës përmes sulmeve mbi mjetet e tyre lundruese në ujërat e Amerikës Latine.

Pentagoni thotë se ato sulme janë të justifikuara sepse trafikantët e drogës konsiderohen terroristë. Megjithatë, Hegseth tha se veprimet e Kelly-t ishin “të natyrës kruengritëse”.

Presidenti Donald Trump ka akuzuar gjithashtu Kelly-n dhe demokratët e tjerë për nxitje të kryengritjes, duke thënë në një postim në rrjetet sociale se ky krim ishte i dënueshëm me vdekje.

Sipas Kodit Uniform të Drejtësisë Ushtarake (UCMJ), nxitja për kryengritje dhe rebelimi janë ndër shkeljet më të rënda dhe mund të ndëshkohen me vdekje, shkruan Reuters.