
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi të martën se kushti i vetëm për shitjen e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë ruse, është që rafineria e kompanisë të vazhdojë funksionimin, përcjell REL.
Rafineria e Pançevës, e vetmja në Serbi dhe pjesë kyçe e NIS-it, u mbyll më 2 dhjetor për shkak të pamundësisë për të importuar naftë të papërpunuar. “Kushdo që ta marrë NIS-in, rafineria duhet të punojë. Përndryshe, ata nuk do të punojnë në Serbi. Ky është kushti i vetëm që kemi”, tha Vuçiç gjatë konferencës së tij vjetore për shtyp në Beograd.
Sipas presidentit, Serbia ka ruajtur stabilitetin energjetik pavarësisht sanksioneve amerikane. Ai tha se për 83 ditë NIS-i nuk ka marrë naftë të papërpunuar përmes naftësjellësit dhe ka shpenzuar rezervat për të siguruar furnizimin e karburantit.
Sanksionet e SHBA-së kanë ndaluar transportin e naftës përmes Naftësjellësit Adriatik dhe importet nga Kroacia, ndërsa OFAC i ka dhënë NIS-it një licencë për të zgjedhur afatin e negociatave për shitjen e pjesës ruse deri më 24 mars 2026, pa lejuar rifillimin e plotë të aktivitetit.
Sipas raporteve, kompanitë hungareze MOL dhe ADNOC nga Emiratet e Bashkuara janë shprehur të interesuara për blerjen e pjesës ruse të NIS-it. Aktualisht, 56.15% e aksioneve të NIS zotërohen nga fondi rus i Shën Petersburgut, kompania shtetërore Gazprom dhe Gazprom Neft, Serbia ka 29.87%, ndërsa pjesa tjetër i përket aksionarëve të vegjël.
NIS furnizon rreth 80% të tregut serb me derivate nafte, ndërsa Serbia është e varur edhe nga Rusia për 80% të gazit natyror të konsumit vendas. Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës janë të ngushta në nivele politike, ekonomike dhe ushtarake, ndërsa Serbia nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, megjithëse është kandidate për anëtarësim që nga viti 2012.