
Brigitte Bardot, aktorja dhe këngëtarja franceze që u bë një simbol ndërkombëtar seksi përpara se t’i kthente shpinën industrisë së filmit për t’u bërë aktiviste e të drejtave të kafshëve, ka vdekur në moshën 91-vjeçare.
“Fondacioni Brigitte Bardot njofton me trishtim të madh vdekjen e themelueses dhe presidentes së tij, zonjës Brigitte Bardot, aktore dhe këngëtare me famë botërore, e cila zgjodhi të braktiste karrierën e saj prestigjioze për t’i kushtuar jetën dhe energjinë e saj mirëqenies së kafshëve dhe fondacionit të saj,” thuhej në një deklaratë dërguar Agence France-Presse të dielën, pa specifikuar kohën apo vendin e vdekjes.
Bardot u bë e famshme ndërkombëtarisht me filmin e vitit 1956 “Dhe Zoti krijoi gruan”, shkruar dhe drejtuar nga bashkëshorti i saj i atëhershëm Roger Vadim. Megjithatë, në fillim të viteve 1970, ajo njoftoi tërheqjen nga aktrimi dhe u bë gjithnjë e më aktive politikisht. Mbështetja e saj e zëshme për të drejtat e kafshëve evoluoi në komente nxitëse për pakicat etnike dhe mbështetje të hapur për Frontin Nacional të djathtë në Francë, duke çuar në një sërë dënimesh për urrejtje racore.

E lindur në vitin 1934 në Paris, Bardot u rrit në një familje katolike tradicionale dhe të begatë, por shkëlqeu aq shumë si kërcimtare sa u lejua të studionte balet, duke fituar një vend në Konservatorin prestigjioz të Parisit.
Në të njëjtën kohë ajo gjeti punë si modele, duke u shfaqur në kopertinën e Elle në vitin 1950 kur ishte ende 15 vjeç. Si rezultat i punës së saj si modele, asaj iu ofruan role në film; në një audicion ajo takoi Vadimin, me të cilin do martohej në vitin 1952, pasi mbushi 18 vjeç. Bardot u përzgjodh në role të vogla, me rëndësi gjithnjë e më në rritje; ajo luajti në “Doctor at Sea”, një hit në Britani në vitin 1955.
Por ishte filmi i Vadimitm, “Dhe Zoti krijoi gruan”, në të cilin Bardot luante një adoleshente të shpenguar në Saint-Tropez, ai që konsolidoi imazhin e saj dhe e ktheu atë në një ikonë ndërkombëtare. Filmi ishte një sukses i jashtëzakonshëm në Francë, si dhe ndërkombëtarisht, dhe e katapultoi Bardot në radhët e para të interpretuesve francezë të ekranit, shkruan The Guardian
