Vendosni fjalën kyçe....

Pandemia Covid-19, ekonomia e Britanisë tkurret mbi 20% të PBB-së


Mbretëria e Bashkuar zyrtarisht hyri në recesion pasi ekonomia e saj u tkurr më shumë se çdo vend i madh evropian gjatë karantinës për shkak të pandemisë Covid-19.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) ra në 20.4 përqind në tremujorin e dytë, rënia më e madhe që nga viti 1955.

Shifrat tregojnë se dëmi ishte i përhapur në disa degë, me industrinë e ndërtimit e vetme që ka parë një tkurrje prej 35 përqind. Shërbimet, pjesa më e madhe e ekonomisë, kanë rënë 20 përqind kurse prodhimi industrial u tkurr me 17 përqind.

Sipas të dhënave, shpenzimet qeveritare ranë 14 përqind, ndërsa investimet në biznes ranë 31.4 përqind. Shpenzimet e konsumatorit ranë me 23.1 përqind. Industria e turizmit pësoi rënien më të madhe të produktivitetit, duke rënë 75 përqind.

Pagat dhe mëditjet ranë 1.6 përqind, rënia e parë që nga viti 2015 dhe më e madhja që nga viti 2008. Banka e Anglisë tha se tregu i punës ishte shqetësimi kryesor, ndërsa zyrtarët kanë frikë nga një rritje e papunësisë në vend.

Numri i të punësuarve që kanë aplikuar për ndihmë ekonomike është rritur me 730,000 krahasuar me marsin.