
Policia e Vlorës ka sekuestruar 179 copë lëndë piroteknike (fishekzjarrë) në një subjekt tregtar, në kuadër të kontrolleve për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të tyre, në prag të festave të fundvitit.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, kanë ushtruar kontroll në një subjekt tregtar me aktivitet ushqimor, në lagjen “Pavarësia”. Gjatë kontrollit u konstatuan 179 fishekzjarrë që mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin.
Lëndët piroteknike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë. Për këtë rast ka nisur procedimi penal ndaj shtetases D. K., 31 vjeçe, banuese në Vlorë, pronare e subjektit tregtar.
Policia bën me dije se kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë qarkun e Vlorës, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve gjatë festave të fundvitit.