
Komisioni Evropian po përgatit plane për heqjen e një pjese të masave ndaj Kosovës, konkretisht rreth 50 për qind të tyre, çka në aspektin financiar nënkupton lirimin e rreth 200 milionë eurove nga fondet që aktualisht janë të suspenduara, bëjnë të ditur burime diplomatike.
Sipas mediave në Kosovë, ky vlerësim i Bashkimit Evropian është bërë i mundur pas transferimit të pushtetit lokal në veri të Kosovës dhe pritet të përfshihet në konkluzionet që ministrat e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë dhe mund të miratojnë të martën në Bruksel, në kuadër të debatit për procesin e zgjerimit.
Në draftin e konkluzioneve thuhet se Këshilli i BE-së përsërit qëndrimet e mëparshme dhe përshëndet heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës, megjithëse formulimi nuk jep sqarime të qarta për afatet dhe mënyrën konkrete të heqjes së tyre. Burime diplomatike sqarojnë se, ndonëse Këshilli ka dhënë pëlqimin politik, vendimi praktik për heqjen e masave i takon Komisionit Evropian, shkruan koha.net.
Megjithatë, fati i masave ndaj Kosovës varet edhe nga qëndrimet e vendeve anëtare. Disa shtete kundërshtojnë heqjen e menjëhershme të masave para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke favorizuar një qasje graduale, ndërsa shumica e vendeve të BE-së mbështesin heqjen e plotë dhe të menjëhershme. Ekziston gjithashtu mundësia që konkluzionet të mos miratohen, për shkak të çështjeve të tjera të përfshira në dokument.
Në konkluzionet për Kosovën dhe Serbinë, Bashkimi Evropian pritet të shprehë keqardhje për mungesën e përparimitnë zbatimin e marrëveshjeve të dialogut. Nga Kosova pritet të nisë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia kërkohet njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës, ndalimi i kundërshtimit të anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, si dhe marrja e hapave konkretë për vënien para drejtësisë të përgjegjësve për dhunën e vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, mediave dhe qytetarëve.