
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Londër së bashku me drejtuesin e ri të BKH-së, Joni Keta, ku janë pritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Krimit të Britanisë së Madhe (NCA), Graeme Biggar.
Sipas njoftimit zyrtar të ambasadës britanike, gjatë takimit u theksua rëndësia e guximit dhe integritetit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.
Po ashtu, u diskutuan hapat për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Biggar i shprehu një vlerësim të posaçëm kreut të SPAK-ut.
“Z. Biggar i ka dhënë një lavdërim z. Dumani për të njohur udhëheqjen e tij dhe për të nderuar guximin dhe integritetin e tij në luftën kundër Krimit të Rëndë dhe të Organizuar dhe ndjekjen e drejtësisë”, deklaron ambasada britanike.
Vizita e Dumanit dhe Ketës vjen në një moment kur bashkëpunimi mes institucioneve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe po thellohet në kuadër të përballjes me grupet kriminale dhe pastrimin e parave.