
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen gjyqësore ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ajo po hetohet nga SPAK për “shkelje të barazisë në tendera” në projektet e Unazës së Madhe dhe tunelit të Llogarasë, ndërsa GJKKO e pezulloi nga detyra. Kryeministri, i cili kundërshtoi vendimin, e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke shkaktuar debat të gjerë publik.
Shoqata e Gjyqtarëve deklaron se çdo koment i kryeministrit mbi këtë çështje përbën presion politik ndaj pushtetit gjyqësor.
Në reagimin e saj zyrtar, Shoqata shprehet:
“Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor, në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë.”
Shoqata shton se deklaratat e përditshme të kryeministrit krijojnë një klimë mosbesimi ndaj drejtësisë dhe mund të përdoren si pretekst për masa që cenojnë pavarësinë e saj.
Më tej theksohet se pavarësia e gjyqësorit vihet në rrezik jo vetëm nga ndërhyrjet direkte, por edhe nga deklaratat që perceptohen si kërcënim apo presion politik:
“Çdo akt apo deklaratë që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut minon besimin e tij tek këto organe.”
Shoqata kujton se edhe Komisioni Europian ka ngritur shqetësime për ndërhyrjet e aktorëve politikë ndaj sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Institucioni nënvizon se gjyqtarët janë të pavarur dhe i binden vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Vendimet e tyre mund të mos jenë të pëlqyeshme nga disa palë, por ato janë legjitime dhe të detyrueshme:
“Qëllimi i gjyqtarëve nuk është të marrin pëlqimin e publikut, por të zbatojnë vullnetin e sovranit të shprehur në ligj.”
Në përmbyllje, Shoqata u kërkon të gjithë zyrtarëve të lartë të ekzekutivit dhe legjislativit të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të distancohen nga çdo veprim që e cenon atë:
“Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë procedurave gjyqësore është forma më e rrezikshme e shkeljes së ndarjes së pushteteve.”