Vendosni fjalën kyçe....

Merz në bisedime me presidentin belg për të zhbllokuar huanë për Ukrainën



Kancelari gjerman Friedrich Merz do të udhëtojë të premten në Bruksel për një takim urgjent me kryeministrin belg Bart De Wever dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, me qëllim zhbllokimin e huasë së riparimeve për Ukrainën.

Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i Komisionit Europian për Euronews, i cili tha se takimi do të zhvillohet të premten në mbrëmje, ndërsa vendndodhja dhe formati mbeten ende të paqarta. Edhe zyra e Merz konfirmoi ndryshimin e minutës së fundit në agjendë, që çoi në anulimin e vizitës së planifikuar të kancelarit në Norvegji.

Lëvizja e papritur shihet si përpjekja më e fuqishme e Merz për të shtyrë përpara propozimin e diskutueshëm, vetëm dy javë para se liderët e BE-së të marrin vendimin final.

Sipas propozimit të paprecedentë, Komisioni Europian synon të përdorë asetet e ngrira të Bankës Qendrore Ruse për t’i kanalizuar në një linjë kredie pa interes për Ukrainën. Kievi do të kërkohej ta shlyente këtë kredi vetëm pasi Moska të pranonte të dëmshpërblente dëmet e shkaktuara nga agresioni i saj – një skenar që aktualisht konsiderohet pothuajse i pamundur.

Rreth 185 miliardë euro të këtyre aseteve ndodhen në Euroclear, një depo qendrore e letrave me vlerë në Bruksel, ndërsa 25 miliardë të tjera janë të shpërndara në vende të ndryshme të BE-së. Kjo e ka bërë Belgjikën kundërshtaren më të fortë të nismës.

Javën e kaluar, kryeministri belg Bart De Wever i dërgoi një letër të prerë Ursula von der Leyen-it, ku e cilësonte huanë e riparimeve si “thellësisht të gabuar” dhe të mbushur me “rreziqe të shumëfishta” që mund të sjellin humbje me vlerë miliarda euro si për Belgjikën ashtu edhe për Euroclear.

Pse duhet të hyjmë në ujëra të paeksploruara ligjore e financiare me pasoja të paparashikueshme, nëse kjo mund të shmanget?”, shkroi De Wever.

Ai theksoi se nuk do ta angazhonte kurrë Belgjikën të mbante e vetme rreziqet që lindin nga skema e parashikuar e huasë.

Në letrën e tij, De Wever argumentoi gjithashtu se projekti i pa testuar mund të dëmtojë përpjekjet e administratës së Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar një marrëveshje të mundshme mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Shtyrja me nxitim e kësaj skeme do të thotë që ne, si BE, praktikisht po pengojmë arritjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje”, paralajmëroi ai.

Ndërkohë, vëmendja e të gjithë BE-së është përqendruar te takimi i së premtes, i cili pritet të përcaktojë fatin e njërës prej nismave më të debatueshme të kohëve të fundit.