
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Opinion”, u shpreh se skandalet që lidhen me zv.kryeministren Belinda Balluku do të duhej ta kishin tronditur vendin. Sipas tij, PD nuk ka më aftësi reagimi. Duke folur për protestat, Salianji tha se ato u caktuan vetëm pas këmbënguljes së tij.
“Skandalet e Ballukut duhej të kishin trazuar vendin. PD nuk ka fuqi të reagojë. E patë çfarë ndodhi në Rumani e Bullgari. Ditën pas shpalljes së Ballukut të pandehur, PD vendosi të merrej me analizën e zgjedhjeve. Unë kërkova që të kishte protesta.
Vetëm pasi e kërkova unë, u njoftua protesta. Pse jam i shqetësuar? Sepse opozita është jetike për shoqërinë. Ilir Meta dha dorëheqjen për një akuzë prej 700 mijë eurosh, por kjo nuk e pengoi opozitën e asaj kohe të ndërmerrte veprimet që ndërmori.
Unë po them që nuk jemi në drejtimin e duhur. Në zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki, kandidatët e PD morën vota sa për një mandat deputeti. Qenë të pavarur? Atëherë pse u lanë nga PD? Ata kandidatë u mbështetën nga strukturat e PD. Në Vlorë, Edi Rama nxori 15 mijë vota, por tanët ku janë?”, u shpreh Salianji.