Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Qeveria i shërben një grushti klientësh, shihni tenderat e koncesionet


Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, deklaroi në Kuvend se qeveria e drejtuar nga Edi Rama, pas 12 vitesh në pushtet, ka krijuar një sistem të korruptuar që funksionon vetëm në interes të klientelës së saj dhe jo të qytetarëve.

“Sot, pas 12 vitesh qeverisje, kemi një sistem të mbyllur, të korruptuar, që nuk njeh as ndjeshmëri, as përgjegjësi, e as respekt ndaj qytetarit. Nuk ka zhvillim për të gjithë, por vetëm një ekonomi të përqendruar në duart e pakicës; nuk ka shpresë, por vetëm rritje të varfërisë. Në çdo ligj që miratohet në këtë Kuvend gjejmë gjurmë të një keqbërjeje të vazhdueshme, që ka grabitur të ardhurat e shqiptarëve për t’i shërbyer një numri të vogël njerëzish,” u shpreh Tabaku.

Ajo theksoi se bujqësia po përballet me një rënie prej -1%, gjë që sipas saj është pasojë e politikave të gabuara dhe cinike të qeverisë. Sipas Tabakut, ndërsa qeveria flet për “Shqipërinë 2030” dhe për afrimin me Evropën, në realitet po ndërton një ekonomi klienteliste dhe të pandershme, që nuk i shërben shumicës së qytetarëve.

“Qeveria ka shkatërruar meritokracinë, ka rrënuar konkurrencën dhe ka vendosur monopole përmes ligjeve të miratuara në këtë sallë. Kjo u pa qartë në tenderat e dhënë nga ish-zëvendëskryeministrja, e cila sot duhej të kishte dhënë dorëheqjen. Shikoni procesin e marrjes së lejeve të drejtimit, koncesionet, kontratat PPP, ku fituesit përcaktohen me mesazhe. Ky është modeli i një ekonomie klienteliste, jo i një vendi që synon të përfaqësojë Evropën. Shqipëria e vitit 2030, të cilën sot e promovojnë socialistët, është një vend i koncesionuar deri në palcë, i padrejtë ndaj shumicës së qytetarëve dhe ku pushteti ndahet vetëm mes një grushti njerëzish,” përfundoi Tabaku.