
Një shpërthim eksploziv tronditi mbrëmjen e së premtes qytetin e Vlorës. Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:38, në rrugën “Ali Demi”, ku një sasi lënde plasëse ishte vendosur në portën e jashtme të banesës së shtetases B. Z., 63 vjeçe.
Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale, ndërsa e zonja e shtëpisë dhe familjarët nuk kanë pësuar lëndime. Forcat e policisë u nisën menjëherë drejt vendngjarjes, ku kryen rrethimin e zonës dhe nisën veprimet e para hetimore. Specialistët e grupit hetimor po analizojnë llojin e lëndës plasëse dhe mënyrën e vendosjes së saj, ndërsa janë sekuestruar pamje të kamerave të sigurisë së bizneseve dhe banesave përreth.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijon puna për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të mundshëm të sulmit. Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, duke përfshirë konflikte të mundshme personale apo tentative për presion, ndërkohë që nuk përjashtohet asnjë mundësi.
Materialet e para i janë referuar Prokurorisë për procedime të mëtejshme, ndërsa policia u ka bërë thirrje banorëve të zonës që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.