
Një draft ligj për eficiencën e energjisë i nxjerrë së fundmi për konsultim parashikon ngritjen e një Fondi Kombëtar të dedikuar për këtë fushë duke i dhënë atributet e një institucioni që mbikëqyr, financon dhe zbaton projekte të ndryshme të lidhura me këtë fushë.
Në një nen të veçantë siç është ai 36 saktësohen instrumentet e financimit.
Ky fond sipas pikës 1 të këtij neni në bazë të Vendimit të Këshillit Drejtues pasi të ketë siguruar pëlqimin e Ministrisë përgjegjëse për energjinë dhe ministrisë përgjegjëse për financat mund të zhvillojë dhe ofrojë Instrumente Financiare të ndryshme nën komponentët qarkullues dhe joqarkullues që promovojnë investime në fushën e eficiencës së energjisë, përfshirë integrimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në mjedise të ndërtuara, siç janë sistemet termike solare, ftohjen dhe ngrohjen gjeotermike, aplikimin e biomasës, dhe të ngjashme.
“Çdo Instrument Financiar do të dizajnohet dhe implementohet duke respektuar në tërësi legjislacionin lokal të zbatueshëm dhe Marrëveshjet Financiare Ndërkombëtare, në rast se janë të aplikueshme. Në çdo rast, FKEE dhe përfituesit do të nënshkruajnë marrëveshje me të cilat definohen të drejtat dhe obligimet e palëve.
Instrumentet financiare dhe marrëveshjet e ndërlidhura mund të përfshijnë, mes tjerash:
a) Marrëveshjet për Shërbime Energjetike për projekte që do të implementohen në tërësi përmes FKEE, siç përcaktohet në nenin 38 të këtij ligji.
b) llojet e tjera të marrëveshjeve, të kombinuara apo jo me grante për projektet që do të financohen nga FKEE për konsumator të kualifikuar rezidentë dhe mundësisht përfitues të tjerë.
c) Instrumentet e tjera të financimit dhe marrëveshjet që synojnë konsumatorët e sektorit publik dhe/apo privat të energjisë për mbështetje dhe/apo zbatim të masave të efiçencës energjetike të caktuara për FKEE për të arkivuar targetat e efiçiencës së energjisë të përcaktuara në këtë ligj” thuhet në draft.
Lidhur me ndërhyrjet që do të bëhen në subjektet publike në kuadër të eficiencës së energjisë drafti parashikon marrëveshjet për shërbimet energjetike që do të jenë edhe instrumenti kryesor i Fondit.
Marrëveshja për Shërbime Energjetike nënshkruhet mes FKEE dhe entitetit publik, me çka FKEE i mundësohet t’i investojë fondet e veta në projekte të efiçencës së energjisë dhe ta kthejë investimin nga entiteti publik në bazë të kursimeve të parapara sa i përket kostos së energjisë. Kjo do të bëhet përmes shpalljes së shprehjes së interesit.
Për projektet e përzgjedhura përfundimisht, FKEE do të nënshkruajë Marrëveshje për Shërbime Energjetike me entitetin publik. Kjo kontratë do të përfshijë, mes tjerash:
vlerën e investimit nga FKEE.
kursimet e projektuara të energjisë dhe afatin e kthimit të investimit.
dispozita të qarta të shpagimit kompensimit të investimit tek FKEE
periudhën e shpagimit kompensimit të investimit tek FKEE, numrin e kësteve dhe shumat e shpagimit, sipas marrëveshjes me pranuesin e investimit
numrin e kësteve, që bazohet në kursimet e projektuara të energjisë, sipas përcaktimit në kontratën e nënshkruar me FKEE, për një periudhë jo më të gjatë se pesëmbëdhjetë (15) vite, në këste tremujore apo tjera të ngjashme; periudha e shpagimit dhe/ose shuma e kësteve mund të përshtatet ndaj ndryshimeve të mundshme të çmimit të energjisë, me kusht që shuma e gjithmbarshme të shpaguhet përgjatë periudhës jo më të gjatë se pesëmbëdhjetë (15) vite./Monitor