Vendosni fjalën kyçe....

“Rreziku kinez”, qeveria përgatit metodologji për sigurinë e pajisjeve të rrjeteve 5G


Qeveria shqiptare ka përgatitur një projektvendim “Për miratimin e metodologjisë për vlerësimin e profilit të rrezikut në nivel kombëtar të furnitorëve dhe ofruesve të pajisjeve të rrjetit 5G”.

Drafti, i përgatitur nga Ministria e Infrastrukturës, i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e një metodologjie të detajuar për vlerësimin e profilit të rrezikut të furnitorëve dhe ofruesve të pajisjeve të rrjeteve 5G, si dhe të komponentëve kritikë dhe pjesëve të ndjeshme të këtyre rrjeteve.

Projektrregullorja bazohet në nevojën për të garantuar sigurinë kibernetike të infrastrukturave strategjike kombëtare, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe rekomandimet e Bashkimit Europian për sigurinë e rrjeteve 5G.

Sipas draftit, për vlerësimin e profilit të rrezikut të furnitorëve dhe ofruesve të pajisjeve të rrjetit, komponentëve kritikë dhe pjesëve të ndjeshme të 5G, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) do t’u kërkojë operatorëve cilët janë furnitorët për secilin komponent të rrjetit; cili është vendi i origjinës nga i cili kontrollohet furnitori apo furnitorët; nëse pajisjet e rrjetit janë të çertifikuara sipas skemës së çertifikimit për sigurinë kibernetike të BE-së ose skemës kombëtare të certifikimit të sigurisë kibernetike të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave sipas ligjit për sigurinë kibernetike; nëse furnizuesi ose ofruesi i pajisjeve të rrjetit, është i certifikuar sipas standardeve ISO/IEC për sigurinë të lëshuar nga organe të akredituara/njohura nga autoritet shqiptare ose në BE, etj.

Operatorët e rrjeteve 5G duhet të paraqesin pranë AKEP informacionin e kërkuar jo më vonë se 30 ditë nga marrja e kërkesës. Për vlerësimin e parë pas hyrjes në fuqi të vendimit në fjalë, afati për paraqitjen e informacionit është jo më shumë se 60 ditë nga marrja e kërkesës.

AKEP, nga momenti i marrjes së informacionit të paraqitur nga operatorët, duhet të bëjë vlerësimin e detajuar të informacionit brenda 90 ditëve kalendarike.

Në procesin e vlerësimit AKEP, duhet të marrë në konsideratë edhe informacionet e raportimeve periodike nga sipërmarrësit ose autoriteti përgjegjës, mbi incidentet kibernetike të ndodhura gjatë vitit të fundit, si dhe raportime që mund të jenë bërë nga sipërmarrësit. Në rastet kur është e nevojshme, AKEP duhet të bashkëpunojë me autoritetet kompetente për sigurinë për vlerësimin e informacioneve të përcaktuara.

Masat teknike dhe specifike për sigurinë e rrjeteve 5G në çdo rast nuk anashkalojnë kërkesat për masat e sigurisë së rrjeteve dhe shërbimeve sipas përcaktimeve të ligjit “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.

AKEP pas konsultimit me Autoriteti Kombëtar të Sigurisë Kibernetike bën një vlerësim të detajuar të masave të sigurisë të ndërmarra nga operatori, nivelin e rrezikut të identifikuar si dhe një vlerësim për planin e masave dhe kohën e korrigjimit të mundshëm të tyre. Analiza e kryer i vihet në dispozicion operatorit për t’u shprehur.

Në rast se plani ose masat e propozuara nga operatorët rezultojnë të pamjaftueshme, AKEP, në bashkëpunim me AKSK, i paraqet ministrit kompetent një propozim për vendosjen e masave kufizuese, kohën e zbatimit të tyre si dhe propozimin për skemën e kompensimit nëse do jetë e nevojshme.

Këto masa mund të përfshijnë heqjen ose zëvendësimin e pajisjeve të rrezikshme brenda afateve të përcaktuara, si dhe, sipas rastit, aplikimin e një skeme kompensimi që është e parashikuar në ligj.

Në projektakt parashikohet që Ministri jep mendimin mbi propozimin brenda 30 ditësh, ndërsa AKEP merr vendimin përfundimtar mbi masat kufizuese dhe mënyrën e zbatimit të tyre dhe gjithashtu është përgjegjës për monitorimin e zbatimit të masave të miratuara dhe raporton periodikisht tek ministri përgjegjës dhe AKSK.

Në masat përfshihet heqja ose zëvendësimin i pajisjeve me rrezik të lartë brenda një afati të specifikuar. Gjithashtu operatorët e rrjetit, përpara se të kryejnë investime të reja, që lidhen me pajisje sipas përcaktimeve në Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e listës me përbërësit kritikë dhe pjesët e ndjeshme të rrjeteve 5G”, duhet të njoftojnë paraprakisht në AKEP./Monitor