Vendosni fjalën kyçe....

FSHF dhe Policia e Shtetit njoftojnë masat e sigurisë për ndeshjen Shqipëri–Angli në “Air Albania”


Në prag të ndeshjes Shqipëri–Angli që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit ka publikuar një sërë masash organizative dhe udhëzimesh për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë aktivitetit sportiv.

FSHF u bën thirrje tifozëve të respektojnë rregullat e përcaktuara, përfshirë hyrjen në stadium vetëm me biletë, ndalimin e futjes së sendeve të ndaluara dhe mbërritjen në kohë për të shmangur vonesat dhe grumbullimet.

Portat e stadiumit do të hapen tre orë përpara fillimit të ndeshjes, ndërsa në perimetrin e jashtëm do të vendosen tabela orientuese për udhëzimin e tifozëve

Tabela orientuese dhe informacion paraprak për tifozët

Në ditën e ndeshjes, stafi i stadiumit “Air Albania” do të vendosë tabela orientuese në perimetrin e jashtëm të stadiumit, për të ndihmuar tifozët të gjejnë më lehtë hyrjen dhe tribunën përkatëse sipas biletës që kanë blerë.

Koshat plastike dhe kontrollet fizike

Në pikat e hyrjes së stadiumit do të vendosen kosha plastike për grumbullimin e sendeve të ndaluara, të cilat mund të zbulohen gjatë kontrolleve fizike nga strukturat e sigurisë. Gjithashtu, grumbullimi i monedhave dhe sendeve të tjera të vogla do të bëhet nga përfaqësuesit e Kryqit të Kuq.

Rregullat e hyrjes në stadium

Të gjithë tifozët duhet të jenë të pajisur me biletën përkatëse për hyrjen në stadium.

Nuk do të lejohet futja e fëmijëve pa biletë, pavarësisht moshës, në mënyrë që të shmanget mbipopullimi dhe bllokimi i shkallëve gjatë ndeshjes.

Gjithashtu, tifozët paralajmërohen se biletat e dublikuara ose të falsifikuara nuk do të njihen nga sistemi elektronik i stadiumit dhe poseduesit e tyre nuk do të lejohen të hyjnë.

Portat e stadiumit do të hapen tre orë përpara fillimit të ndeshjes, ndaj FSHF dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje tifozëve të mbërrijnë në kohë, të ndjekin udhëzimet e rendit dhe të drejtohen drejt tribunës së përcaktuar në biletën e tyre.