Vendosni fjalën kyçe....

Oficeri i policisë qëllohet për vdekje në një spital në Karolinën e Veriut


Një oficer policie u qëllua për vdekje në dhomën e urgjencës të një spitali pranë Raleigh, Karolina e Veriut, të shtunën në mëngjes, sipas autoriteteve lokale.

Oficeri i policisë së kampusit të WakeMed, Roger Smith, u vra me armë zjarri ndërsa ishte në detyrë në qendrën mjekësore WakeMed Garner Healthplex në qytetin Garner, rreth orës 9:00 të mëngjesit, pas një “përleshjeje”, bëri të ditur spitali në një deklaratë, përcjell NBC.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Smith, teksa ata po përballen me këtë ngjarje tragjike”, thuhet në deklaratën e grupit shëndetësor.

“Ne shprehim një mirënjohje të jashtëzakonshme për stafin e Departamentit të Urgjencës në Garner Healthplex për reagimin e tyre heroik dhe të menjëhershëm ndaj incidentit.”

Ende nuk është e qartë nëse është bërë ndonjë arrestim apo nëse ka një të dyshuar në lidhje me ngjarjen.

Departamenti i Policisë së Garner nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Sipas njoftimit të WakeMed, drejtuesit e spitalit ndodhen në vendngjarje dhe po bashkëpunojnë me autoritetet shtetërore dhe lokale për hetimin e plotë të rastit.

Grupi shëndetësor shtoi gjithashtu se holli i dhomës së urgjencës mbetet aktualisht i mbyllur për publikun.