
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi akuzoi sot kryeministrin Rama si bashkëpërgjegjës të aferës me Tunelin e Llogarasë. Ai tha se kompania turke jo vetëm e ka fituar tenderin në mënyrë të paligjshme po edhe pa përmbushur kriteret e përcaktuara nga vetë autoritetet shqiptare.
Ai tha se sipas dosjes së SPAK, kompania turke e fitoi tenderin falë ndërhyrjes së ministres Balluku ndërsa tha se kryeministri Rama me qëndrimin e tij është bërë në zëdhënës dhe mbrojtës i korrupsionit.
“Dua të sqaroj qytetarët se sipas SPAK jo vetëm kompania është paracakuar nga Belinda Balluku, për të fituar këtë tender por kompania turke nuk plotësonte një sërë kushtesh që autoritetet shqiptare kishin shpallur për tenderin në fjalë.
Kompania turke nuk plotësonte kushte teknike e financiare që vetë caktuesit e tenderit kishin përcaktuar.
SPAK ka arritur në përfundimin se dy kompanitë turke janë shpallur fituese në shkelje të ligjit dhe kjo falë ndikimit të ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku dhe vartësve të saj, Gentian GJyli, Evis Berberi.
Rama që ditën flet për Europën dhe natën mbron korrupsionin është kthyer në zëdhënës e avokat të Belinda Ballukut.
As nuk e shkarkon, as nuk është distancuar nga provat e prokurorisë, por vijon ta mbrojë duke i privuar çdo shqiptari se është bashkëpërgjegjës për këtë dosje, sepse ai nuk është thjesjht spektator i korrupsionit por arkitekt i tij.” – tha Bardhi.
Pjesë nga deklarata e Bardhit
“Po ndaj me ju një analizë të plotë mbi dosjen korruptive të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Do ta nis me një koment mbi atë që pamë sot në shfaqjen e zëvendësit të Ballukut, përkrah ambasadorit të BE-së. Besoj se shqiptarët e ndoqën momentin kur Edi Rama tentoi të trajtonte edhe traktatin e themelimit të Bashkimit Europian apo funksionimin e tij, njëlloj siç trajtoi edhe tunelin e Llogarasë.
Duke menduar se mund të ndryshojë rregullat e demokracisë europiane sipas interesit të tij politik, njëlloj siç bëri me kriteret e tenderit për tunelin e Llogarasë. Nuk e di se si u ndje ambasadori Gonzato krah njeriut që sot është i vetmi kryeministër në Ballkan, po dhe në Europë, që ka numrin dy të qeverisë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme për abuzime me tenderat publik në vlera miliona euro.
Të dashur shqiptarë, siç e keni parë, më 31 tetor Shqipëria zyrtarisht ka numrin dy të qeverisë të pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera. Për këtë arsye, propaganda qeveritare, e bërë edhe pak minuta më parë për progres në rrugën e Shqipërisë drejt Europës, rrëzohet nga faktet tronditëse të dosjes korruptive për abuzimin me pushtetin të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Faktet tregojnë se nuk ka asgjë europiane në qeverisjen e Edi Ramës dhe se korrupsioni ka hyrë në zemër të qeverisë së tij. Dosja hetimore për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është zyrtarisht e pandehur prej 31 tetorit, ekspozon qartë mënyrën se si funksionon pushteti i Edi Ramës.
Tenderat publikë paracaktohen sipas llogarive korruptive të Edi Ramës dhe vartësve të tij. Procedurat shkelen nga institucionet përgjegjëse me urdhër politik dhe shteti përdoret për interesat e pushtetit, interesat korruptive të zyrtarëve të lartë dhe jo për interesat e qytetarëve. Dosja Balluku nuk është një rast i izoluar, por është modeli i qeverisjes së Edi Ramës. Belinda Balluku është shembulli që tregon se abuzimi me pushtetin është kthyer në rregull dhe jo në përjashtim.
Përballë këtij realiteti, çdo fjalë që dëgjoni sot, dje apo nesër për progres në rrugën europiane të Shqipërisë është hipokrizi dhe tallje e madhe me qytetarët shqiptarë. Të dashur qytetarë, në dosjen e Prokurorisë, të cilën dua ta përshëndes për guximin dhe integritetin që ka treguar në hetimin e vetëm të këtij segmenti ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, rezulton qartë se tenderi për tunelin e Llogarasë ishte i paracaktuar.”