Vendosni fjalën kyçe....

Carney i kërkon ndjesë Trump-it për reklamën anti-tarifë


Kryeministri kanadez Mark Carney ka kërkuar ndjesë ndaj presidentit amerikan Donald Trump për një reklamë politike anti-tarifë të sponsorizuar nga kryeministri i Ontarios, Doug Ford.

Reklama, e cila përdor një deklaratë të ish-presidentit Ronald Reagan kundër tarifave, shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Uashingtoni: rritje të tarifave ndaj mallrave kanadeze dhe pezullim të bisedimeve tregtare.

Carney konfirmoi se ndjesa ishte bërë privatisht gjatë një darke të organizuar nga presidenti i Koresë së Jugut, ku të dy liderët morën pjesë.

“I kërkova ndjesë presidentit,” tha Carney, duke pohuar komentet e Trump-it nga një ditë më parë, përcjell The Guardian.

Ai shtoi se kishte shqyrtuar reklamën me Ford para publikimit, por kishte kundërshtuar përdorimin e saj.

“I thashë Ford-it që nuk doja të vazhdohej me reklamën,” deklaroi kryeministri.

Në një tjetër zhvillim diplomatik, Carney tha se takimi me presidentin kinez Xi Jinping ishte një pikë kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve, pas viteve me tensione, arrestime të qytetarëve kanadezë dhe akuzave për ndërhyrje në zgjedhjet federale.

Vizita në Azi, sipas Carney, është pjesë e një strategjie për të ulur varësinë ekonomike të Kanadasë nga SHBA. “Nuk ndodh brenda natës, por po ecim shumë shpejt,” tha ai.