
Ekipet egjiptiane dhe ato të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) janë lejuar të hyjnë në Rripin e Gazës për të kërkuar trupat e pengjeve të vrarë gjatë sulmeve të 7 tetorit, ka konfirmuar qeveria izraelite.
Kërkimi po zhvillohet përtej “vijës së verdhë”, zonë nën kontrollin e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA.
Sipas mediave izraelite, edhe anëtarë të Hamasit janë lejuar të marrin pjesë në kërkime, krahas ekipeve të ICRC, përcjell BBC.
Deri tani, Hamasi ka dorëzuar 15 nga 28 trupat e pengjeve izraelite të vrarë, duke deklaruar se po bashkëpunon me autoritetet egjiptiane për të përmbushur marrëveshjen.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Hamasin: “Filloni t’i ktheni trupat shpejt, përndryshe vendet e tjera të përfshira në këtë paqe të madhe do të ndërmarrin veprime.”
Ai shtoi: “Disa trupa janë të vështira për t’u arritur, por të tjerat mund të kthehen tani. Për ndonjë arsye nuk po e bëjnë. Ndoshta ka lidhje me çarmatimin e tyre.”
Zëdhënës izraelit konfirmoi se ekipet egjiptiane do të përdorin ekskavatorë dhe kamionë për të kërkuar trupat në zonat e shkatërruara nga bombardimet. Sipas OKB-së, rreth 84% e territorit të Gazës është kthyer në rrënoja pas më shumë se dy vitesh sulme intensive nga Izraeli.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të dielën se Izraeli do të vendosë vetë se cilat forca të huaja do të lejohen si pjesë e forcës ndërkombëtare për sigurinë në Gaza, në kuadër të planit të paqes të ndërmjetësuar nga Trump.
“Ne jemi në kontroll të sigurisë sonë dhe kemi bërë të qartë se do të vendosim vetë për forcat e pranueshme,” tha ai.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se “shumë vende” kanë shprehur gatishmërinë për t’u bërë pjesë e kësaj force, por pjesëmarrja e tyre duhet të jetë e pranueshme për Izraelin, një referencë e mundshme ndaj Turqisë, e cila sipas raporteve është kundërshtuar nga Izraeli.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se si mund të vendoset një forcë e tillë pa një marrëveshje me Hamasin.
Konflikti nisi pas sulmit të 7 tetorit 2023, ku militantët e Hamasit vranë rreth 1,200 persona dhe morën 251 pengje. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, mbi 68,500 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që atëherë.