
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër kryebashkiakët për moszbatimin e Paketës së Maleve, duke kërkuar ngritjen e menjëhershme të një task-force me tre persona në çdo bashki për të ndihmuar qytetarët që duan të investojnë në zonat malore të Shqipërisë.
“Bëni menjëherë përcaktimin e zonave duke përfshirë sa më shumë territore, përveç atyre pikave ku për arsye ligjore është e pamundur të ndërtohet. Më dëgjon ti kryebashkiaku i Kukësit? Ti më dëgjon po nuk e di a më kupton. Niveli i interesit për të investuar në ato territore është i lartë. Sa herë kam ardhur atje, ma ke ngrit këtë problem, kemi kërkesa po nuk kanë letra. Ke 5 muaj që i ke në dispozicion të gjithë instrumentet dhe akoma nuk ke sjellë hartën”, tha Rama.
Ai theksoi se 500 aplikantët e parë që do të përfitojnë nga paketa nuk do të paguajnë taksa për 10 vite, duke i bërë thirrje bashkive të ndihmojnë qytetarët që të jenë pjesë e kësaj skeme.
“Duhet të ngrini një task forcë në çdo bashki me 3 persona që t’i rrinë pronto njerëzve që shprehin interesin. 500 të parët që do të marrin kontratën 10 vite nuk do të paguajnë asnjë lloj takse. Duhet t’i ndihmoni të jenë të 500 të parët”, u shpreh ai.
Rama kritikoi edhe bashkitë për mungesën e kontributit në zhvillimin ekonomik, duke theksuar se nuk mjafton vetëm mbledhja e të ardhurave nga qytetarët.
“Kriteri i parë është që të kontribuosh në rritjen ekonomike të vendit. Nuk mund të jenë të gjithë konsumatorë të rritjes, duhet të jenë dhe kontributorë. Nuk është mblidh të ardhura nga qytetarët dhe pastaj shpërndaji, e pastaj kërko më shumë të ardhura. Bashkitë duhet të jenë pararojë për të krijuar të ardhura”, tha kryeministri.
Në një ton ironik, Rama përmendi edhe bashkitë e Memaliajt dhe Fushë Arrëzit, duke thënë se “edhe hudhrat që na mbrojnë nga syri i keq me lëkurën e tyre blu nuk na kanë sjellë gjë”, duke nënvizuar se asnjëra palë politike nuk ka përmbushur detyrimet.
“Kjo tregon që si majtas si djathtas, shqiptarët flenë gjumë. Brenda muajit tetor, duhet të vijnë të gjitha hartat”, përfundoi Rama.