Vendosni fjalën kyçe....

Rafahu mbetet i mbyllur, Izraeli pezullon ndihmat pasi Hamasi nuk dorëzoi trupat e pengjeve


Izraeli ka njoftuar se pika kufitare e Rafahut mes Gazës dhe Egjiptit do të qëndrojë e mbyllur të paktën deri të mërkurën, ndërsa dërgimi i ndihmave humanitare në Rripin e Gazës do të reduktohet ndjeshëm.

Tre zyrtarë izraelitë thanë të martën se vendimi u mor pasi grupi militant palestinez Hamas nuk dorëzoi trupat e pengjeve izraelitë që po mbahen ende, si pjesë e marrëveshjes së re të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet izraelite nuk sqaruan se për sa kohë do të zgjasë ky pezullim.

Hamasi kishte deklaruar më herët se rikuperimi i trupave të disa pengjeve të vrarë mund të kërkojë më shumë kohë, pasi jo të gjitha vendndodhjet e varrimeve dihen për shkak të rrënojave masive në Gaza.

Ndërkohë, mjekë dhe ish-të burgosur palestinezë thanë për Associated Press se disa nga afër 2,000 të burgosurit palestinezë të liruar të hënën si pjesë e shkëmbimit me Izraelin vuajnë nga probleme të shumta shëndetësore të zhvilluara gjatë viteve të paraburgimit.

Nga 14 të liruar që u pranuan në Qendrën Mjekësore të Palestinës në Ramallah, dy mbetën nën kujdes mjekësor.

“Këto shenja tregojnë se pacientët janë rrahur rëndë, duke reflektuar dhunën që kanë pësuar,” tha Imed al-Shami, mjek rezident në urgjencën e spitalit.

Associated Press nuk mundi t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa Shërbimi i Burgjeve të Izraelit tha se nuk ishte në dijeni për to, përcjell The Guardian.