Njeriu i cili pretendon se paraqitja e tij si foshnjë lakuriq në kopertinën e albumit ikonik të grupit Nirvana, ‘Nevermind’, ishte pornografi fëmijësh, ka humbur një tjetër padi kundër grupit.
‘Nevermind’, albumi më i suksesshëm i Nirvanave, u publikua në vitin 1991; ai përfshiu këngën hit ‘Smells Like Teen Spirit’ dhe shiti mbi 30 milionë kopje në mbarë botën. Kopertina e tij paraqet Spencer Eldenin katërmuajsh duke notuar drejt një kartëmonedhe dollari të lidhur me një grep peshkimi.
Elden, i cili tani është 34 vjeç, fillimisht ngriti një padi kundër grupit në vitin 2021, duke pretenduar se emri i tij është “përgjithmonë i lidhur me shfrytëzimin seksual komercial që ai përjetoi si i mitur.” Vitin tjetër, gjykatësi i qarkut amerikan, Fernando Olguin, hodhi poshtë çështjen sepse u dorëzua pas afatit dhjetëvjeçar të paraqitjes së padive, por nuk u mor me thelbin e pretendimeve.
Megjithatë, pasi një gjykatë apeli e ktheu mbrapsht vendimin, Elden paditi sërish anëtarët e mbijetuar të grupit Nirvana, Dave Grohl dhe Krist Novoselic, vejushën e frontmenit të ndjerë Kurt Cobain, Courtney Love, dhe fotografin Kirk ëeddle në vitin 2022, duke kërkuar të paktën $150,000 nga secili prej të paditurve.
Të martën, Olguin e rrëzoi çështjen për herë të dytë, duke thënë se asnjë juri e arsyeshme nuk do e gjente kopertinën e ‘Nevermind’ si pornografike. Pamja ishte më shumë si “foto familjare e një fëmije të zhveshur që lahet,” argumentoi ai.
“As poza, as fokusi, as mjedisi dhe as konteksti i përgjithshëm nuk sugjerojnë që kopertina e albumit paraqet sjellje seksualisht eksplicite,” vendosi gjykatësi.
Një firmë ligjore që përfaqëson interesat e Elden i tha revistës Rolling Stone të mërkurën se ata “nuk pajtohen” me vendimin e Olguin dhe planifikojnë të apelojnë kundër tij.
“Për sa kohë që industria e argëtimit i jep përparësi fitimeve mbi privatësinë, pëlqimin dhe dinjitetin e fëmijërisë, ne do vazhdojmë përpjekjen tonë për ndërgjegjësim dhe llogaridhënie,” tha ajo, shkruan Rt.
