
Kreu i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi sot një takim me ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Pas këtij takimi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi duke theksuar se prioriteti i Prokurorisë së Posaçme duhet të mbetet lufta kundër korrupsionit qeveritar.
Bardhi thekson se marrëdhënia e SPAK me ekzekutivin, përfshirë ministrin e Drejtësisë, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji, pa u përdorur për qëllime propagandistike.
Ai shton se SPAK nuk mund të shndërrohet në mekanizëm propagande të qeverisë, por mbetet institucioni kyç për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Askund nuk parashikohet që drejtuesi i SPAK të ndjekë prioritetet e qeverisë, aq më pak të programit të saj. Ç’lidhje ka SPAK me prioritetet e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, kur në fakt prioritet i saj duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit qeveritar?” – shprehet Bardhi në postimin e tij,
Ai nënvizon se SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet si i tillë, duke theksuar se pozat dhe njoftimet për publikun pas takimeve me Ministrinë e Drejtësisë përbëjnë një akt propagande të paprecedent.
Postimi i Gazment Bardhit:
Marrëdhënia e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK me segmente të Ekzekutivit, përfshirë Ministrin e Drejtësisë, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji. Marrëdhënie të tilla institucionale nuk duhet të ndodhin për nevoja propagande të Ekzekutivit, sepse SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë, por institucioni kyç që lufton korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.
Askund, por askund nuk parashikohet se me drejtuesin e SPAK ndahen prioritetet e Qeverisë dhe aq më pak që ky i fundit dëgjon prioritetet e programit të Qeverisë. Ç’lidhje ka SPAK me prioritetet e Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, kur në fakt prioritet i saj duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit qeveritar?
SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor duhet edhe të duket që ekziston. Kjo pozë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe njoftimi i Ministrit të Drejtësisë që ka ndarë prioritetet e programit qeverisës, është një akt propagande i pandodhur kurrë më parë.
Kujtojmë se në qendër të bisedës në takimin e sotshëm mes ministrit Lamallari dhe Dumanit, ishin prioritetet e qeverisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe vijimin e mbështetjes për Reformën në Drejtësi.
Lamallari publikoi foto nga takimi dhe theksoi se drejtësia e pavarur është themeli i rrugëtimit evropian të Shqipërisë.
“Mirëprita sot në një takim drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani. Ndava me të prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë si pjesë e Programit Qeverisës 2025-2029, në përputhje të plotë me detyrimet e ndërmarra në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian. Shteti i së Drejtës është themeli i Shqipërisë Evropiane,” u shpreh Lamallari në një postim në rrjetet sociale.