Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri polak paralajmëron Rusinë, Tusk: Nuk do të hezitojmë të rrëzojmë objektet që shkelin hapësirën tonë ajrore


Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, deklaroi sot se Varshava nuk do të hezitojë të rrëzojë çdo objekt që hyn dhe fluturon mbi territorin polak, pas tensioneve të rritura me Rusinë dhe shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të vendeve të NATO-s.

“Ne do të marrim vendimin për të qëlluar objektet fluturuese kur ato shkelin territorin tonë dhe fluturojnë mbi Poloni – për këtë nuk ka asnjë diskutim,” tha Tusk në një konferencë për shtyp, përcjell The Guardian.

Megjithatë, ai shtoi se kur bëhet fjalë për situata “jo plotësisht të qarta”, si rasti i fundit kur avionë rusë fluturuan mbi platformën Petrobaltic pa shkelur ujërat territoriale polake, vendimet duhen marrë me kujdes për të mos shkaktuar “një fazë shumë të mprehtë të konfliktit”.

Tusk theksoi se Polonia nuk do të veprojë e vetme nëse tensionet me Moskën përshkallëzohen.

“Unë duhet të jem absolutisht i sigurt… se të gjithë aleatët do ta trajtojnë këtë situatë njësoj si ne,” nënvizoi ai.

Deklaratat e kryeministrit polak vijnë në prag të një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku pritet të diskutohet për provokimet e fundit të Rusisë në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s, përfshirë shkeljen e konfirmuar nga Estonia, të cilën Moska e mohon duke akuzuar Talinin për “rritje të tensioneve”.

Deri më tani, NATO ka paralajmëruar se veprimet e Rusisë janë pjesë e një “sjelljeje të papranueshme dhe provokuese” që rrezikon sigurinë në lindje të Evropës.