Vendosni fjalën kyçe....

Donald Trump pritet me ceremoni shtetërore në Kështjellën Windsor nga Mbreti Charles dhe familja mbretërore


Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur vizitën shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, ku u prit me nderime të larta në Kështjellën Windsor nga Mbreti Charles III, Mbretëresha Camilla dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore.

Ceremonia filloi me një procesion me karrocë dhe një gardë nderi. Trump ndau të njëjtën karrocë me Mbretin Charles, ndërsa Zonja e Parë Melania Trump udhëtoi me Mbretëreshën Camilla në një tjetër, përcjell BBC.

Presidenti amerikan mbërriti me helikopterin presidencial Marine One dhe u prit në pistë nga Princi dhe Princesha e Uellsit, William dhe Kate.

Në pritjen ushtarake në oborrin e kështjellës, Trump dhe Charles u panë duke biseduar me humor e duke shkëmbyer batuta, çka u interpretua si një shenjë e qartë miqësie mes tyre, pavarësisht formalitetit të rastit.

Më pas, liderët dhe personalitetet e pranishme u drejtuan për një drekë zyrtare, ndërsa në programin e ditës janë parashikuar një fluturim festiv dhe një banket shtetëror.

Megjithatë, vizita nuk kaloi pa polemika. Katër persona u arrestuan pasi projeksione me imazhe të Trump dhe pedofilit të ndjerë Jeffrey Epstein u shfaqën mbi muret e Kështjellës Windsor.