
Kryeministri Edi Rama, në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, u bëri thirrje vendeve europiane që të jenë më të hapura ndaj botës dhe të krijojnë miqësi edhe me shtete që mendojnë ndryshe.
Ai theksoi se kjo qasje mund të ndihmojë në parandalimin e konflikteve të ardhshme.
“Kur shikon këtë botë që zhvillohet e lëviz me një shpejtësi të pabesueshme, pyetja që i bën vetes është pse nuk është Europa aty? E kuptoj pse, por ndoshta kjo përgjigje duhet përgatitur në një tjetër mënyrë. Fakti që kemi opinione të ndryshme për mënyrën si jetojmë nuk është arsye për t’u veçuar, e për të thënë që nëse do të bëhesh mik me ne duhet të bëhesh si ne, sepse në fund rrezikon të humbasësh më shumë miq. Nga ana tjetër të jemi shumë herë më të hapur kundrejt botës. Europa të jetë udhëkryqi nga ku kalojnë të gjithë. Duhet të jemi miq njëherë përpara se sa të jemi aleatë strategjikë për luftëra të ardhshme. Kjo madje do të shmangë edhe luftëra”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare në fjalën e tij.
Rama vlerësoi se Europa ndodhet në një udhëkryq.
Sipas Ramës, problemi i Europës qëndron në drejtimin që do të marrë, siç tha ai, nëse do të shndërrohet në Shtetet e Bashkuara të Europës apo do të shpërbëhet në copa të ndryshme, ku shtete të caktuara do të bëhen satelitë të vendeve të tjera.
“Mendoj që problemi kryesor që ka Europa është çfarë drejtimi do të marrë. Do thellohet në rrugën e saj për t’u shndërruar në Shtetet e Bashkuara të Europës apo do shpërbëhet në copa të ndryshme me gjithësecilin që vendos se sateliti i kujt do bëhet sepse nuk ka shans që të ndahesh e të jesh vetëm. Nga ana tjetër, Europa është makineria më e jashtëzakonshme burokratike dhe e administratës që mund të jetë një gjë e mirë. Por nga ana tjetër hartimi i tepruar i rregulloreve edhe përpara se sa diçka të nisë, në SHBA shpikin Inteligjencën Artificiale, në Europë shpikin rregullore, kjo e bën Europën shumë të vështirë, ka një ekuilibër që Europa duhet ta gjejë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në panelin e këtij forumi.