
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të shtunën se do të nxjerrë një urdhër ekzekutiv për të detyruar përdorimin e identifikimit të votuesve në çdo proces votimi.
“Identifikimi i votuesit duhet të jetë pjesë e çdo vote. PA PËRJASHTIME! Do të nxjerr një urdhër ekzekutiv për këtë qëllim!!!”, shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.
Ai shtoi gjithashtu: “Gjithashtu, nuk do të ketë votim me postë, përveçse për ata që janë shumë të sëmurë dhe për ushtarët e vendosur larg.”
Trump ka vënë shpesh në pikëpyetje sistemin zgjedhor amerikan dhe vazhdon të pretendojë, pa prova, se humbja e tij në vitin 2020 ndaj Joe Biden-it ishte rezultat i mashtrimeve të përhapura.
Republikanët kanë bërë gjithashtu pretendime të pabazuara për votim masiv nga joqytetarët, një praktikë që është e paligjshme dhe ndodh shumë rrallë, sipas Reuters.
Presidenti ka kërkuar prej vitesh ndalimin e përdorimit të makinave elektronike të numërimit të votave, duke mbështetur përdorimin e fletëvotimeve në letër dhe numërimin manual – një proces që zyrtarët zgjedhorë e konsiderojnë më të kushtueshëm, më të ngadaltë dhe më pak të saktë.
Më herët këtë muaj, Trump kishte paralajmëruar se do të nxirrte një urdhër për ndalimin e votimit me postë dhe përdorimit të makinave elektronike para zgjedhjeve afatmesme të vitit 2026.
Megjithatë, zgjedhjet federale administrohen nga shtetet dhe nuk është e qartë nëse presidenti ka kompetencat kushtetuese për të zbatuar një masë të tillë.
Zgjedhjet e 3 nëntorit 2026 do të jenë testi i parë kombëtar për politikat e brendshme dhe të jashtme të Trump që nga rikthimi i tij në pushtet në janar, ndërsa demokratët do të përpiqen të thyejnë kontrollin e republikanëve mbi të dyja dhomat e Kongresit për të frenuar agjendën e tij.