
Partia Demokratike ka denoncuar një situatë alarmante në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku, sipas saj, janë ndaluar analizat laboratorike për pacientët për shkak të tejkalimit të buxhetit mujor të përcaktuar në kontratën koncesionare.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, në një dalje për mediat, u shpreh se ky zhvillim është një tregues i qartë i kolapsit financiar të sistemit shëndetësor publik dhe i kapjes së tij nga interesat private.
“Dokumenti zyrtar tregon se pacientët nuk mund të marrin analiza bazike shëndetësore nëse është arritur ‘tavani financiar’ i kontratës koncesionare,” tha Vangjeli, duke iu referuar një emaili të brendshëm të QSUT-së ku thuhet se nga data 25 gusht deri më 1 shtator, analizat do të kryhen vetëm për rastet urgjente dhe shumë të rënda.
PD e cilëson këtë situatë si “një precedent të rrezikshëm”, që sipas saj, tregon degradimin e sistemit shëndetësor dhe varësinë e tij nga kontratat publike-private.
Vangjeli shtoi se kjo nuk është hera e parë që raportohen probleme serioze, duke përmendur mungesën e barnave, pajisjeve dhe shërbimeve bazike në spitale.
Opozita kërkon ndërprerjen e menjëhershme të praktikave që, sipas saj, kufizojnë aksesin e qytetarëve në shërbimet shëndetësore, mbajtjen e përgjegjësisë ligjore dhe institucionale për këtë situatë, si dhe ridrejtimin e buxhetit publik drejt sektorit të shëndetësisë.
“Në një shtet normal, shëndetësia është prioritet. Ndërsa në Shqipëri, jeta e qytetarëve po vendoset në rrezik nga një sistem i paaftë, i korruptuar dhe i kapur nga interesat private,” përfundoi Vangjeli.