Vendosni fjalën kyçe....

Budapesti dhe Kievi shkëmbejnë akuza pas sulmit mbi tubacionin që ndali naftën ruse drejt Hungarisë


Nafta e papërpunuar ruse që furnizon Hungarinë u ndërpre të hënën pas një sulmi ndaj infrastrukturës së tubacionit Druzhba, njoftoi ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó.

Shefi i diplomacisë hungareze e dënoi sulmin, duke fajësuar Ukrainën, dhe tha se ka zhvilluar bisedime me zëvendësministrin rus të energjisë mbi rikthimin e funksionimit të një stacioni transformator.

Megjithatë, ai shtoi se nuk dihet ende se kur mund të rifillojë furnizimi me naftë.

“Ky sulm i fundit ndaj sigurisë sonë energjetike është i papranueshëm dhe skandaloz,” tha Szijjártó në një deklaratë, pa dhënë detaje se ku ndodhi sulmi, shkruan CNN.

Sipas analizave të Qendrës për Kërkime mbi Energjisë dhe Ajrin e Pastër, Hungaria dhe Sllovakia mbeten ende të varura në mënyrë të konsiderueshme nga nafta e papërpunuar dhe gazi rus që vjen përmes degës jugore të tubacionit Druzhba.

Operatori sllovak i tubacioneve, Transpetrol, konfirmoi se edhe furnizimi i Sllovakisë me naftë përmes Druzhba-s është pezulluar.

“Kompania jonë nuk ka informacione të mëtejshme mbi arsyet e ndërprerjes, e cila ka ndodhur jashtë territorit të Republikës Sllovake,” thuhet në njoftimin e tyre.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, reagoi ndaj kritikave të Hungarisë, por pa komentuar drejtpërdrejt mbi ndërprerjen e tubacionit.

“Është Rusia, jo Ukraina, ajo që e nisi këtë luftë dhe refuzon ta përfundojë,” tha Sybiha në një deklaratë.

Ai shtoi: “Hungarisë i është thënë prej vitesh se Moska është një partner i pabesueshëm. Megjithatë, Hungaria ka bërë gjithçka për të ruajtur varësinë e saj nga Rusia, edhe pas fillimit të luftës në shkallë të plotë. Tani mund t’i dërgoni ankesat dhe kërcënimet tuaja miqve tuaj në Moskë.”

Shefi i diplomacisë ukrainase gjithashtu theksoi një sulm rus mbi terminalet e naftës me pronësi azere në rajonin e Odesës dhe bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit mes Ukrainës dhe Azerbajxhanit.