Vendosni fjalën kyçe....

Evropa shmang Forumin e Kinës ‘Brez e Rrugë’, vendos ‘hendek’ ndaj Xi e Putin – WSJ


Pas tre vitesh izolim nga Covid, udhëheqësi kinez Xi Jinping po planifikon një shpërthim për nismën e tij të infrastrukturës ‘Brez e Rrugë’.

Vendet evropiane, në veçanti, po i anashkalojnë festimet, një pasqyrim i marrëdhënieve të përkeqësuara midis kontinentit dhe Kinës. Pekini kishte shpresuar se Evropa do lidhej me rrjetin e saj ‘Brezi e Rruga’ të lidhjeve globale të tregtisë dhe transportit, por udhëheqësit evropianë po tërhiqen, duke ndarë kujdesin e Uashingtonit për rritjen e varësisë së tyre ekonomike nga Kina.

I vetmi i ftuar i shquar që ka thënë se do marrë pjesë – presidenti rus Vladimir Putin – i ka larguar më tej liderët evropianë, shumë prej të cilëve e kanë ashpërsuar qëndrimin e tyre ndaj Kinës për shkak të mbështetjes së Pekinit për Moskën që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Pekini parashikoi nismën ‘Brez dhe Rrugë’ për të drejtuar atë që disa ekspertë vlerësuan të ishte 1 trilion dollarë drejt hekurudhave, rrugëve, tubacioneve dhe porteve të financuara nga Kina që do lidhnin Azinë me Evropën, Afrikën dhe Amerikën Latine.

Vetëm pesë vjet më parë, Kina po nënshkruante me shpejtësi anëtarë të rinj në të gjithë botën në zhvillim dhe po bënte depërtim midis ekonomive të pasura të lidhura më ngushtë me Uashingtonin – duke përfshirë Italinë, Greqinë dhe Republikën Çeke – me mallra që mbërrinin në portet dhe hekurudhat evropiane të financuara nga nisma ‘Brez e Rrugë’.

Tani, shumë prej këtyre vendeve po distancohen nga projekti, pasi Evropa kërkon të zvogëlojë ndikimin ekonomik të Kinës në rajon.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz aktualisht nuk kanë plane të marrin pjesë në Forumin ‘Brez dhe Rrugë’ të këtij viti, sipas zyrtarëve të lartë të qeverisë.

As kryeministrja Giorgia Meloni e Italisë, i vetmi vend i G7 që nënshkroi për ‘Brez dhe Rrugë’, tha një person që bashkërendon axhendën e saj. Zvicra historikisht asnjanëse, e cila dërgoi presidentin e saj në dy samitet e fundit, po shqyrton nëse do marrë pjesë këtë vit, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme.

Greqia, e cila iu bashkua nismës në vitin 2018, i ka thënë tashmë Pekinit se kryeministri i saj nuk do marrë pjesë. Republika Çeke, e cila nënshkroi nismën në vitin 2015, nuk pret të dërgojë presidentin e saj apo zyrtarë të lartë, thanë zëdhënësit e qeverisë. Xi bëri vizita shtetërore tre-ditore në secilin prej këtyre vendeve pasi u angazhuan për bashkëpunimin ‘Brezi e Rruga’ me Pekinin.

Veprimtaria e Pekinit për ‘Brez e Rrugë’ është një nga shenjat se ‘qëllimi i qartë i Partisë Komuniste Kineze është një ndryshim sistematik i rendit ndërkombëtar me Kinën në qendër të saj’, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në mars.

Nisma të cilën Xi e hodhi për herë të parë në vitin 2013 si një fushatë e gjerë për të nxitur zhvillimin global dhe për të zgjeruar ndikimin ndërkombëtar të Kinës, është programi më i madh i infrastrukturës në botë – shumë më i madh se plani Marshall i Uashingtonit i pasluftës – dhe SHBA-të nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë apo të ofrojnë një alternativë deri tani.

Krerët e shteteve po pozojnë për një foto në forumin e fundit ‘Brez e Rrrugë’, në Pekin në 2019

Por shpenzimet e ‘Brezit dhe Rrugës’ kanë dështuar në vlerësimet e hershme dhe ambiciet e Pekinit janë dobësuar nga Covid-19, rritja e kostove të huamarrjes dhe lufta e Rusisë në Ukrainë. Forumi ‘Brez e Rrugë’ i këtij viti – i pari që nga pandemia dhe i treti që nga edicioni përurues në 2017 – do provojë thirrjen e platformës së nënshkrimit të Xi për diplomacinë ekonomike, me diplomatët kinezë që punojnë për të mbushur listat e të ftuarve dhe për të treguar ndikimin global të Kinës.

“Në vitet e kaluara, vendet evropiane iu afruan nismës me mendje të hapur,” tha Noah Barkin, i cili përqendrohet në Evropë dhe Kinë në firmën kërkimore ‘Rhodium Group’. Tani, narrativa ka ndryshuar dhe programi shihet kryesisht, thotë Barkin, si ‘një mjet për përhapjen e ndikimit kinez jashtë vendit’.

Përgjigja e dobët nga Evropa deri më tani sugjeron një peizazh global më sfidues për ambiciet diplomatike të Xi. Nëse vendet evropiane dikur flirtonin me bashkimin me Brez dhe Rrugë, tani po konkurrojnë me të.

Në fund të tetorit, qeveritë evropiane do ftojnë udhëheqës biznesi, zyrtarë dhe krerët e shteteve nga Afrika, Amerika Latine dhe Azia – por jo Kina – në forumin e tyre rival, duke nxitur ‘Global Gateëay’, programin e Bashkimit Evropian për ndërtimin e infrastrukturës prej 333 miliardë dollarësh.

Zyrtarët kinezë, ndërkohë, po punojnë drejt një afati kohor të mesit të tetorit për forumin e Pekinit dhe kanë kërkuar pjesëmarrjen e qeverive të huaja, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje.

Media shtetërore ka raportuar më parë se Xi, gjatë një vizite shtetërore në Moskë në mars, e ftoi Putinin të marrë pjesë. Këtë javë, Kremlini tha se Putin do merrte pjesë.

Prania e Putinit e ka bërë të pamundur që Kina të sigurojë angazhime nga qeveritë që kanë dënuar pushtimin rus në Ukrainë dhe kanë vendosur sanksione ndaj Moskës, thonë njerëz të njohur me këtë çështje.

Pjesëmarrja e ulët do zvogëlonte përpjekjet e Pekinit për të projektuar një imazh të ndikimit në rritje globale. Forumi i mëparshëm në vitin 2019 kishte liderë të lartë nga 38 vende, ndërsa 30 liderë kombëtarë u shfaqën në ngjarjen përuruese në vitin 2017-në të cilën administrata Trump dërgoi një delegacion të nivelit të mesëm të udhëhequr nga një këshilltar i Shtëpisë së Bardhë.

Zëdhënësit e Ministrisë së Jashtme të Kinës nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Programi ‘Brez e Rrugë’ është përballur me kritika brenda dhe jashtë vendit pasi projektet ngecin, debitorët luftojnë për të shlyer kreditë dhe pretendimet për mbishpenzim dhe shpërndarje të gabuar të burimeve.

Zyrtarët perëndimorë kanë fajësuar nismën për grumbullimin e borxheve të rënda ndaj vendeve më të varfra – një nocion që Pekini e kundërshton. Disa biznese private kanë humbur gjithashtu interesin pasi nuk kanë arritur të korrin përfitimet që shpresonin, pas një zhurme të hershme që nxiti shumë sipërmarrës të gjenin mënyra për t’u lidhur me programin.

“Shpirti i sloganit ‘Brez e Rrugë’ është i vjetëruar,” tha një lobist biznesi kinez i përqendruar në Singapor, i cili punon me kompani nga të dy vendet, duke shtuar se shumë sipërmarrës kanë kaluar drejt fjalëve të reja, të tilla si Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, ose RCEP- një pakt tregtar aziatik prej 15 anëtarësh, anëtare e të cilit është edhe Kina.

Hekurudha me shpejtësi të lartë Xhakarta-Bandung është një nga shumë projekte infrastrukturore nën nismën e Kinës ‘Brez e Rrugë’

Pekini, nga ana e tij, ka mbrojtur ‘Brezin e Rrugën’ si të dobishme për tregtinë dhe zhvillimin global në vendet partnere, ndërsa ka premtuar të përmirësojë zbatimin e tij.

Në forumin e 2019-ës, Xi u zotua të prezantojë një ‘kornizë të qëndrueshmërisë së borxhit’ për projektet e ‘Brezit dhe Rrugës’ dhe të nxisë  përputhjen me standardet ndërkombëtare në kontraktimin e infrastrukturës. Zyrtarët kinezë kanë vendosur gjithashtu kontrolle më të forta të rrezikut dhe janë bërë më të gatshëm të pranojnë disa humbje dhe të rinegociojnë borxhin.

Largimi i Evropës nga ‘Brez dhe Rruga’ filloi përpara pandemisë, pasi fuqitë e mëdha të kontinentit rivlerësuan marrëdhëniet e tyre me Kinën. Që nga viti 2019, politika zyrtare e BE-së për Kinën e ka etiketuar Pekinin një ‘rival sistemik’, jo thjesht një partner tregtar.

Një vit më pas, Dhoma e Tregtisë e BE-së në Kinë tha se kompanitë evropiane po merrnin vetëm ‘thërrime nga tryeza’ e ‘Brez e Rrugë’, pasi shumica e financimeve drejtohen përmes subjekteve shtetërore kineze.

Përplasjet diplomatike i bënë gjithashtu më pak të këndshme lidhjet më të ngushta tregtare me Kinën. Në vitin 2020, diplomatët kinezë kërcënuan të importonin më pak piano nga Republika Çeke, presidenti i atëhershëm i së cilës ishte një mbështetës i vendosur i ‘Brezit dhe Rrugës’, nëse një senator çek do fluturonte për në Tajvan, një ishull i vetëqeverisur që Pekini pretendon si territorin e tij. Incidenti ndezi një valë skepticizmi të Kinës që ndihmoi në zgjedhjen e një presidenti të ri, i cili është një nga ‘skifterët’ kinezë më të hapur në Evropë.

Një vit më pas, Kina frenoi importet nga Lituania me 80% pasi vendi baltik lejoi Tajvanin të hapte një zyrë lokale me një emër që sugjeronte se ishulli është një shtet i pavarur. BE-ja paditi Kinën në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe shtoi përpjekjet për të pakësuar varësinë tregtare nga Kina.

Reagimi ambivalent i Kinës ndaj pushtimit rus të Ukrainës tjetërsoi më tej shumë zyrtarë evropianë, të cilët filluan të punojnë më ngushtë me SHBA-në për të frenuar ndikimin global të Pekinit, duke përfshirë nismën ‘Brez e Rrugë’.

Në një samit të majit në Hiroshima, demokracitë e përparuara të G-7 krijuan një partneritet për infrastrukturën globale, në të cilën liderët u zotuan të mbledhin 600 miliardë dollarë investime për vendet në zhvillim. BE-ja është e përkushtuar të mobilizojë investime private dhe publike me vlerë më shumë se gjysmën e tyre.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani