Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Qeveria përdor ushtrinë për të ndaluar News24, jo për të shuar zjarret



Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ndaj përdorimit të Forcave të Armatosura nga qeveria, duke akuzuar se ato po përdoren për qëllime politike në vend të angazhimit për emergjencat natyrore që kanë përfshirë vendin.

“Në vend të angazhojë ushtrinë për të shuar flakët, e përdor për t’i fikur sinjalin dhe për të grabitur zyrat e dosjet investigative të NEWS 24,” shkruan Meta në Facebook.

Ai thekson se qeveria e kryesuar nga Edi Rama nuk ka marrë masa efektive parandaluese për mbrojtjen nga zjarret gjatë 12 viteve në pushtet. Sipas Metës, pyjet shqiptare janë trajtuar si objekt plaçkitjeje, ndërsa investimet reale në mbrojtjen e tyre, si blerja e avionëve zjarrfikës, janë injoruar.

Meta akuzon gjithashtu qeverinë se qytetarët janë lënë të braktisur ndërsa flakët përhapen, ndërkohë që zyrtarët shfrytëzojnë situatën për të kontrolluar mediat investigative dhe për të mbrojtur interesat e oligarkëve.

Ai përfundon me një paralajmërim: flakët që përpinë natyrën shqiptare nuk duhet të shndërrohen në justifikim për ndërtimin e resorteve të reja për klientët e qeverisë.